Paralajmërimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për një dimër të vështirë energjetik duket se ka shtyrë edhe institucionet publike që të sigurojnë pajisje rezervë për furnizim me energji elektrike.
Vetëm pak ditë pas deklaratës së saj, të bërë më 11 nëntor 2026, së paku katër institucione publike kanë iniciuar procedura të prokurimit që lidhen me furnizimin, mirëmbajtjen apo servisimin e gjeneratorëve.
Sipas të dhënave të prokurimit publik, më 13 nëntor Radio Televizioni i Kosovës ka iniciuar procedurën për rikthimin e akumulatorit për gjenerator, në vlerë prej 496 eurosh.

Një ditë më pas, më 16 nëntor, Agjencia për Menaxhim Emergjent ka paraparë mirëmbajtjen dhe servisimin e gjeneratorëve dhe pompave për tërheqjen e ujit, me vlerë prej 22 mijë e 225 eurosh.
Më 17 nëntor, edhe Ministria e Financave ka nisur procedurën për servisimin e gjeneratorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, në vlerë prej 850 eurosh.
Ndërsa më 18 nëntor, Kuvendi Komunal i Prizrenit ka iniciuar procedurën për mirëmbajtjen e ashensorëve dhe gjeneratorëve në objektet e KPSH-së, me vlerë prej 19 mijë e 199 eurosh.
Vlera e këtyre katër procedurave arrin në 42 mijë e 770 euro.
Këto procedura vijnë pas paralajmërimit të Rizvanollit, e cila më 11 nëntor foli për vështirësitë me të cilat mund të përballet vendi gjatë dimrit në aspektin e furnizimit me energji elektrike.
