Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hapur një tender me vlerë deri në 500 mijë euro për furnizim me bileta. Sipas dokumenteve të tenderit, gjatë një viti parashihet blerja e rreth 1.500 biletave për destinacione të ndryshme ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e cila aktualisht drejtohet nga Glauk Konjufca, ka hapur një tender me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh për blerjen e biletave të avionit.
Sipas dokumenteve të publikuara, MPJD planifikon të sigurojë deri në 1.500 aviobileta për destinacione të ndryshme në botë, duke vazhduar kështu shpenzimet e konsiderueshme për aktivitetet diplomatike dhe udhëtimet e zyrtarëve të saj.
“Shërbimet e transportit ajror. Vlera e parashikuar e kontratës: 500,000.00. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 03.07.2026 Bileta Aeroplani sipas përshkrimit copë 1400”.


Në përllogaritjet e tenderit është përdorur një çmim orientues prej 355 eurosh për biletë, që e çon vlerën e kontratës në afër 497 mijë euro. Megjithatë, ministria sqaron se ky është vetëm një çmim referues për vlerësimin e ofertave, pasi çmimet reale do të varen nga rezervimet konkrete dhe lëvizjet në tregun e aviacionit.
Dokumentacioni tregon se kompania fituese do të duhet të jetë në dispozicion të MPJD-së gjatë gjithë kohës, 24 orë në ditë dhe 365 ditë në vit.
Ajo do të jetë e obliguar t’u përgjigjet kërkesave për bileta brenda 60 minutave dhe të ketë persona të dedikuar kontakti për kabinetin e ministrisë edhe jashtë orarit të rregullt të punës.
Tenderi parasheh që shumica e rezervimeve të bëhen në klasën ekonomike, me arsyetimin e uljes së kostove, por dokumentet lënë hapësirë edhe për blerjen e biletave në klasën biznes kur paraqiten kërkesa të tilla. Për secilin udhëtim, operatori ekonomik duhet t’i ofrojë ministrisë disa alternativa fluturimi, përfshirë edhe kompani me kosto të ulët kur ato janë të disponueshme.

Po ashtu, MPJD-ja ka paraparë mekanizma të shumtë kontrolli mbi kontraktuesin. Ministria rezervon të drejtën të kërkojë qasje në sistemet e rezervimit, të verifikojë faturat dhe çmimet e biletave, si dhe të kryejë kontrolle të papritura për të siguruar që biletat nuk faturohen më shtrenjtë sesa çmimet reale të tregut.
Kontrata do të ketë kohëzgjatje njëvjeçare dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas përfundimit të marrëveshjes aktuale. Afati për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë është caktuar më 3 korrik 2026.

