Parandalimi i bullizmit dhe krijimi i një mjedisi shkollor të sigurt për nxënësit po marrin vëmendje përmes një bashkëpunimi të ri ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe organizatës INVES.
Përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Drejtorinë Komunale për Arsim, palët kanë shprehur përkushtimin e tyre për të parandaluar dhe luftuar fenomenin e bullizmit në institucionet shkollore, duke e vendosur mirëqenien e nxënësve në qendër të këtij angazhimi.
Marrëveshja parasheh organizimin e aktiviteteve edukative, ligjëratave dhe fushatave vetëdijësuese, me synimin që nxënësit të njihen më mirë me format e bullizmit, pasojat që ai mund të shkaktojë dhe rëndësinë e raportimit dhe parandalimit të tij.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe përfshirjes së mësimdhënësve dhe prindërve në këtë proces, pasi luftimi i bullizmit kërkon përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët të të gjithë faktorëve që ndikojnë në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet promovimi i një kulture shkollore të bazuar në respekt, tolerancë, gjithëpërfshirje dhe siguri, ku asnjë nxënës të mos ndihet i përjashtuar, i kërcënuar apo i pambrojtur.
Sepse shkolla nuk duhet të jetë vetëm vendi ku fëmijët mësojnë, por edhe vendi ku ata ndihen të sigurt, të respektuar dhe të pranuar.

