Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji paraburgim të pandehurit Endrit Azemi, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale mashtrimi.
Sipas kërkesës së prokurorisë nga data 09.11.2026 e deri me datë 21.11.2026, i pandehuri E. A., me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjell në lajthim personat tjerë, në atë mënyrë që ka sajuar situatën se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do ti nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen.
Më këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”,thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
