Përveç aktivitetit në biznes, Morina ka qenë i angazhuar edhe në muzikë, ku në kanalin e tij në YouTube ka publikuar pesë projekte muzikore.
Sipas dosjes së siguruar nga Insajderi, Morina dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin dhe koordinimin e komunikimit me shtetas të huaj, kryesisht nga Suedia, por edhe nga Belgjika, Gjermania dhe shtete të tjera, të cilët dyshohet se janë bindur të investonin para në platforma të prezantuara si “SwisFXCapital” dhe “BlockPIT”.
Roli i Morinës në qendrat e thirrjeve
Sipas dosjes së Prokurorisë, veprimtaria e dyshuar është zhvilluar gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, në disa lokacione në Prishtinë, përfshirë hapësira në rrugët “Muharrem Fejza”, “Ali Aliu Kelmendi” dhe “Dervish Hima”.
Prokuroria pretendon se grupi ka vepruar në mënyrë të organizuar, me role të ndara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Personat e përfshirë dyshohet se janë paraqitur si përfaqësues të kompanive të investimeve, duke krijuar te klientët përshtypjen se paratë e tyre do të investoheshin në platforma financiare fitimprurëse.
Në këtë organizim, Morina dyshohet se kishte rol menaxhues dhe koordinues.
Sipas dokumentit, ai ka marrë pjesë edhe në komunikimin e drejtpërdrejtë me shtetas të huaj përmes numrave të huaj të telefonit, sistemeve të telefonisë përmes internetit, postës elektronike dhe platformave të tjera të komunikimit.
Personat e kontaktuar dyshohet se nxiteshin të investonin fillimisht shuma rreth 250 euro, ndërsa më pas u kërkoheshin shuma më të mëdha. Në dosje përmenden platformat “SwisFXCapital”, “BlockPIT” dhe “X-33 Online”.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, pas realizimit të investimeve, paratë transferoheshin në llogari të tjera, duke ua pamundësuar personave të dëmtuar kontrollin dhe disponimin mbi mjetet e tyre financiare.
Toni Salihu dyshohet se ka siguruar dhe përshtatur hapësirat për funksionimin e qendrave të thirrjeve, si dhe pajisjet elektronike dhe sistemet e komunikimit.
Sipas Prokurorisë, ai ka udhëtuar edhe në shtete të ndryshme, përfshirë Suedinë dhe Gjermaninë, për të mbledhur informacione lidhur me persona që mund të kontaktoheshin për investime financiare.
Ndërsa shtatë të dyshuarit e tjerë, sipas dosjes, kanë qenë të angazhuar në qendrat e thirrjeve, ku dyshohet se kanë kontaktuar shtetas të huaj dhe u kanë ofruar mundësi të pretenduara investimi.
Pronar i biznesit të veshjeve dhe i angazhuar në muzikë
Nga kërkimet, Insajderi ka gjetur se Morina është pronar i një biznesi të veshjeve dhe se është marrë edhe me muzikë.
Sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve të shqyrtuara nga Insajderi, Morina figuron si pronar i kompanisë “POSE BOUTIQUE SH.P.K.”, e cila ka si aktivitet tregtinë me pakicë të tekstileve, veshjeve dhe këpucëve në dyqane të specializuara.

Përveç biznesit, Morina ka publikuar edhe projekte muzikore. Në kanalin e tij në YouTube figurojnë pesë këngë të publikuara.

Programet që dyshohet se u instaloheshin investitorëve
Një nga elementet e përmendura në dosje është përdorimi i programeve për qasje në distancë në kompjuterë.
Sipas Prokurorisë, personat e angazhuar në qendrat e thirrjeve u kanë udhëzuar klientëve instalimin e programeve TeamViewer, UltraViewer dhe AnyDesk.
Këto programe mundësojnë qasje në distancë në pajisjet elektronike, varësisht nga lejet që jepen nga përdoruesit. Prokuroria pretendon se ato janë përdorur në komunikimin me personat e kontaktuar gjatë ofertave për investime.
Gjatë kontrolleve në një lokacion në rrugën “Ali Aliu Kelmendi” janë gjetur 18 kompjuterë, ndërsa në një lokacion në rrugën “Dervish Hima” janë gjetur 15 kompjuterë dhe 14 telefona.
Në pajisjet e kontrolluara, sipas Prokurorisë, janë identifikuar të dhëna personale të shtetasve të huaj, komunikime për investime, sisteme telefonie përmes internetit dhe programe për qasje në distancë.
Në dosje përmenden edhe të dhëna për depozita prej 20 mijë deri në 30 mijë euro në njërin prej lokacioneve. Po ashtu, Prokuroria pretendon se disa komunikime tregojnë për përfitime të dyshuara prej 30 mijë deri në 40 mijë euro nga një person i dëmtuar.
Një tjetër element është një komunikim përmes të cilit dyshohet se agjentëve u premtoheshin bonuse prej 2 mijë eurosh nëse arrinin numër më të madh të depozitimeve fillestare nga klientët.
Këto shuma janë të përmendura në dosjen e Prokurorisë, por në dokumentin e përmbledhur nuk përcaktohet dëmi i përgjithshëm financiar ndaj të gjithë personave të dëmtuar.
Emri i Morinës përmendet në dosje edhe lidhur me një incident gjatë ekzekutimit të urdhërkontrollit nga policia.
Sipas Prokurorisë, Morina dhe e dyshuara Rea Hashani dyshohet se kanë rezistuar ndaj hyrjes së hetuesve në njërin nga lokacionet dhe kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.
Për këtë ngjarje, sipas dosjes, do të zhvillohet procedurë e veçantë penale.
Të nëntë personat janë ndaluar më 23 tetor 2026, në orën 10:00, për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë ende në fazë fillestare. Ato përfshijnë ekzaminimin e pajisjeve elektronike, analizimin e komunikimeve dhe transaksioneve financiare, si dhe identifikimin dhe marrjen në pyetje të personave të dëmtuar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Morina dhe tetë personat e tjerë dyshohen për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik. Kërkesa për paraburgim nuk nënkupton se të dyshuarit janë shpallur fajtorë, ndërsa përgjegjësia e tyre penale duhet të përcaktohet nga gjykata.
