Një rrjet i dyshuar mashtrimi, që përmes qendrave të thirrjeve kishte vënë në shënjestër shtetas të huaj, është goditur nga Policia e Kosovës. Katër lokacione janë bastisur, nëntë persona janë arrestuar dhe dhjetëra pajisje kompjuterike kanë përfunduar në duart e hetuesve, në kuadër të një operacioni të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Bëhet fjalë për Toni Salihun, rreth 27-vjeçar, Durim Morinën, rreth 36-vjeçar, Diamant Hasanin, rreth 25-vjeçar, Rea Hashanin, rreth 23-vjeçare, Përparim Rekën, rreth 36-vjeçar, Dorent Hajredinin, rreth 27-vjeçar, Faik Zukën, rreth 19-vjeçar, Ariana Plakicin, rreth 32-vjeçare dhe Bidaim Eminin, rreth 23-vjeçar.
Aksioni është realizuar më 23 tetor 2026, rreth orës 11:00, në Prishtinë dhe Obiliq, pas një periudhe veprimesh hetimore që kishin çuar në identifikimin e personave të dyshuar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nëntë të arrestuarit dyshohet se vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar qendrat e thirrjeve për të kontaktuar shtetas të huaj, me qëllim mashtrimin e tyre dhe përfitimin e kundërligjshëm financiar.
Një prej elementeve që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve janë të dhënat e shtetasve të huaj, të cilat janë gjetur në pajisjet kompjuterike të të dyshuarve.
Sipas dyshimeve, këto të dhëna përdoreshin për të kontaktuar personat që më pas bëheshin objekt i mashtrimit.
Hetimet kanë çuar në bastisjen e katër lokacioneve, ku njësitë policore kanë hasur në një numër të madh pajisjesh elektronike dhe sende të tjera që janë sekuestruar si prova materiale.
