Futbollisti Toni Salihu dhe ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, Ariana Plakici, janë në mesin e nëntë personave për të cilët Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, nën dyshimet për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë.
Toni Salihu është futbollist kosovar, i cili ka luajtur për klube si Prishtina e Re dhe KF Laçi.

Gazeta Insajderi ka hulumtuar profilin e tij dhe ka gjetur se Salihu figuron si pronar i dy bizneseve, të dyja të regjistruara në Komunën e Gjilanit: “TONI KLIMA AC SH.P.K.” dhe “T.K 06 MARKETING L.L.C.”.

Përveç tyre, në mesin e të dyshuarve janë edhe Durim Morina, Diamant Hasani, Rea Hashani, Përparim Reka, Faik Zuka, Dorent Hajredini dhe Bidaim Emini.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Toni Salihu ka pasur rol në sigurimin e hapësirave ku funksiononin qendrat e thirrjeve, pajisjeve elektronike dhe sistemeve të komunikimit.
Prokuroria pretendon se Salihu ka udhëtuar në Suedi dhe Gjermani për të mbledhur informacione lidhur me persona që mund të kontaktoheshin për investime.
Ariana Plakici, Faik Zuka, Dorent Hajredini dhe Bidaim Emini

Ariana Plakici, Faik Zuka, Dorent Hajredini dhe Bidaim Emini janë katër të dyshuarit e tjerë të përmendur në kërkesën për paraburgim. Sipas Prokurorisë, ata kanë qenë të angazhuar në aktivitetet e qendrave të thirrjeve dhe dyshohet se kanë kontaktuar persona të huaj për investime në kriptovaluta dhe tregje financiare.
Prokuroria pretendon se personat e angazhuar në këto qendra kanë udhëzuar viktimat për instalimin e programeve TeamViewer, UltraViewer dhe AnyDesk, duke u thënë se këto programe nevojiteshin për t’u ndihmuar në administrimin e investimeve. Sipas dyshimeve, përmes tyre mundësohej qasja në distancë në kompjuterët e personave të kontaktuar.
Bonuse për agjentët që bindnin klientët të investonin
Sipas dokumentit, viktimat nxiteshin të investonin fillimisht shuma rreth 250 euro, ndërsa më pas u kërkoheshin shuma më të mëdha. Pas realizimit të investimeve, paratë dyshohet se transferoheshin në llogari të tjera, duke ua pamundësuar personave të dëmtuar kontrollin dhe disponimin mbi mjetet e tyre financiare.
Një tjetër detaj i përmendur në kërkesën për paraburgim lidhet me shpërblimet për personat e angazhuar në qendrat e thirrjeve.
Sipas Prokurorisë, në mesazhet e gjetura në platformat e përdorura është evidentuar një komunikim ku thuhet se nga 29 shtatori deri më 30 dhjetor do të jepej bonus prej 2 mijë eurosh për agjentët me më shumë “FTD”, shkruan Insajderi.
Prokuroria e interpreton këtë komunikim si tregues se personat e angazhuar mund të kenë marrë bonuse për arritjen e objektivave që lidhen me nxitjen e klientëve për të investuar.
Në pajisjet elektronike janë identifikuar gjithashtu komunikime përmes Microsoft Teams, ku dyshohet se personat e përfshirë kanë diskutuar për klientët, realizimin e telefonatave, ndarjen e detyrave dhe vazhdimin e kontakteve.
Dyshime për dokumente me nënshkrime të falsifikuara
Prokuroria thotë se në dokumentet elektronike janë gjetur të dhëna që dyshohet se lidhen me përgatitjen e nënshkrimeve të falsifikuara dhe vendosjen e tyre në dokumente PDF, të cilat u janë dërguar personave të kontaktuar për t’u krijuar besueshmëri investimeve të pretenduara.
Përveç mashtrimit, të nëntë personat dyshohen edhe për mashtrim kompjuterik. Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tyre, duke argumentuar se hetimet janë në fazë fillestare dhe se ende duhet të analizohen pajisjet elektronike, komunikimet dhe transaksionet financiare, si dhe të intervistohen personat e dëmtuar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Prova të gjetura gjatë kontrolleve
Në kërkesën për paraburgim përmenden 18 kompjuterë të gjetur në një lokacion në rrugën “Ali Aliu Kelmendi”, si dhe 15 kompjuterë e 14 telefona në një lokacion në rrugën “Dervish Hima”. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe pajisje të tjera elektronike.
Prokuroria thotë se në pajisjet e kontrolluara janë identifikuar të dhëna personale të shtetasve të huaj, komunikime për investime, sisteme telefonie përmes internetit dhe programe për qasje në distancë.
Në dokument përmenden edhe të dhëna për depozita prej 20 mijë deri në 30 mijë euro në njërin prej lokacioneve, si dhe komunikime që, sipas Prokurorisë, tregojnë për përfitime të dyshuara prej 30 mijë deri në 40 mijë euro nga një person i dëmtuaR.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.
Sipas Prokurorisë, hetimet janë ende në fazë fillestare dhe duhet të vazhdojnë ekzaminimi i pajisjeve elektronike, analiza e komunikimeve dhe transaksioneve financiare, si dhe marrja në pyetje e personave të dëmtuar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Në kërkesë thuhet gjithashtu se gjatë ekzekutimit të urdhërkontrollit, Durim Morina dhe Rea Hashani dyshohet se kanë rezistuar ndaj hyrjes së hetuesve në një lokacion dhe kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Për këtë ngjarje, sipas Prokurorisë, do të zhvillohet procedurë e veçantë.
Të dyshuarit ngarkohen me dyshimet për veprat penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik.
