Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” ka shkarkuar Hasan Krasniqin nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, me arsyetimin se nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme për zbatimin e një aktvendimi lidhur me objektin administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit, të mbajtur më 23 tetor, me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas njoftimit të KRU “Gjakova”, Bordi e ka bazuar vendimin në shqyrtimin e dokumentacionit të kompanisë, akteve të organeve administrative dhe gjyqësore, si dhe sqarimeve të dhëna nga Krasniqi.
Në qendër të arsyetimit për shkarkim është çështja e objektit pranë Digës së Liqenit të Radoniqit, për të cilin, sipas Bordit, me aktvendimin e 9 shtatorit 2026 ishte urdhëruar ndërprerja e aktivitetit të operatorit. Në këtë aktvendim, sipas njoftimit, ishte përcaktuar se ankesa nuk e shtynte ekzekutimin e tij.
Bordi ka vlerësuar se menaxhmenti duhej të ndërmerrte veprime konkrete, të dokumentuara dhe në kohë për zbatimin e këtij vendimi.
Gjatë shqyrtimit, Bordi ka analizuar edhe dokumentacionin për përdorimin e objektit si restorant dhe hotel, përfshirë pëlqimin e vitit 2017 dhe kontratën e qirasë të vitit 2018. Sipas njoftimit, në dokumentacionin e shqyrtuar nuk është gjetur ndonjë akt i mëvonshëm që autorizonte shprehimisht përdorimin e objektit për këtë destinim.
Bordi ka bërë të ditur se i ka marrë parasysh edhe shqetësimet e menaxhmentit për pasojat e mundshme kontraktuale dhe financiare ndaj operatorit ekonomik. Megjithatë, sipas tij, zbatimi i urdhrit për ndërprerjen e aktivitetit duhej të trajtohej veçmas nga ndërprerja përfundimtare e kontratës së qirasë.
Në reagimin e tij, Hasan Krasniqi ka pretenduar se kryesuesi i Bordit i kishte thënë: “Ose nënshkruaje prishjen e kontratës ose jep dorëheqje”.
Bordi, ndërkaq, ka vlerësuar se mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje përbënte mangësi serioze në përmbushjen e përgjegjësive menaxheriale dhe kishte cenuar besimin e nevojshëm për vazhdimin e Krasniqit në pozitën e kryeshefit ekzekutiv.
