Botë Lajme

Pse sulmet spektakolare të Ukrainës me dronë detarë po e bëjnë nervoz NATO’në?

Sulmet ndaj një korvete të Marinës ruse në Mesdhe dhe tri anijeve të mallrave tregojnë se Kievi po fiton gjithnjë e më shumë aftësi për të goditur objektiva ruse larg vijës së frontit. Gjatë fundjavës, flakët përfshinë anije ruse në veri të Evropës dhe pranë brigjeve të Mesdheut. Në Kiev, kjo ishte arsye për të festuar.

Pamjet nga afër, të publikuara në internet nga televizioni libian, tregojnë çastin kur një dron detar përplaset në njërën anë të një anijeje, që sipas raportimeve ishte një anije ruse e transportit ushtarak, pranë brigjeve të Bengazit.

Sipas raportimeve, dronët detarë ukrainas fundosën të shtunën në mbrëmje një anije luftarake ruse në Bengazi, në lindje të Libisë. Kjo ndodhi pak orë pasi një anije mallrash e lidhur me ushtrinë ruse u godit nga dronët në Gjirin e Finlandës dhe më pas u zhvendos me rrymën në ujërat territoriale të Estonisë dhe Finlandës.

Kievi nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për asnjërin nga tri sulmet, por analistët besojnë se të gjitha pasqyrojnë aftësinë në rritje të Ukrainës për të kryer sulme nga distanca dhe me sisteme autonome.

Për Perëndimin, këto sulme janë shenjë se lufta po i afrohet gjithnjë e më shumë, ndërsa Ukraina kërkon të shfrytëzojë çdo përparësi që mund të gjejë për ta goditur kundërshtarin.

Malcolm Davis, analist i lartë për strategjinë e mbrojtjes në Institutin Australian të Politikave Strategjike, thotë se kjo përbën “një zgjerim të hapësirës së luftimeve” dhe shënon një fazë të re të luftës.

“Kjo tregon lloje të reja të aftësive ushtarake [të Kievit] dhe i jep Moskës mesazhin se Ukraina mund të vazhdojë të godasë objektiva ruse si në tokë, ashtu edhe në det”, tha ai.

Perëndimi e kupton se Ukraina po i përgjigjet agresionit rus. Megjithatë, sipas Davisit, rreziqet po shtohen.

“Në luftë, gjërat nuk shkojnë kurrë me saktësi kirurgjikale”, tha ai. “Gjithmonë ekziston rreziku që diçka të shkojë keq, që dikush të lëshojë një raketë që merr drejtim të gabuar dhe godet objektivin e gabuar.”

Korveta e vogël e kuqe

Anija e Marinës ruse që u fundos në Bengazi u identifikua si Merkury, një korvetë që mund të mbajë raketa lundruese dhe raketa të mbrojtjes ajrore.

Analisti i inteligjencës nga burimet e hapura, H. I. Sutton, tha se Merkury me shumë gjasë ndodhej në Bengazi pasi kishte shoqëruar një kolonë anijesh që transportonin armë nga Rusia për aleatët e saj në Libi. Qeveria lokale pretendoi se korveta kishte ndaluar aty vetëm për t’u furnizuar me karburant.

Anija ishte futur në shërbim vetëm pak kohë më parë. Një bloger ushtarak rus reagoi pas fundosjes së saj. “Kjo është krejtësisht absurde. Anija ishte krejt e re”, shkroi ai.

Pamjet satelitore treguan se anija ishte përmbysur dhe se pjesa më e madhe e saj ishte zhytur. Burime lokale i thanë Al Jazeera-s se një numër i panjohur shtetasish libianë dhe rusë humbën jetën në sulmin e kryer në agim.

Më vonë të dielën, një sulm me dron goditi pranë brigjeve të Bengazit një anije të identifikuar si Ascalon, anije mallrash e lidhur me Rusinë dhe nën sanksione. Ministria lokale e Shëndetësisë tha se 10 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan.

Burime ushtarake i thanë Reuters se forcat e tyre detare dhe ajrore kishin ndalur më shumë se 20 dronë detarë pranë bregdetit të dielën në mbrëmje.

Osama Hamad, kryeministër në detyrë i Qeverisë së Stabilitetit Kombëtar me seli në lindje të Libisë, kërkoi hetim mbi raportimet se dronët ishin lëshuar nga ekipe ukrainase të vendosura në perëndim të Libisë, ku autoritetet mbështeten nga NATO-ja.

Sulmi në Gjirin e Finlandës

Të shtunën, një dron i identifikuar si ukrainas goditi një anije mallrash të lidhur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes në pjesën lindore të Detit Baltik, pranë ujërave të Finlandës dhe Estonisë.

Deputeti finlandez dhe gjenerali në pension Jarmo Lindberg i tha Radios Evropa e Lirë se Kievi po tregonte “aftësinë për të goditur objektiva në lëvizje, larg Ukrainës”.

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, shkroi në rrjetet sociale se “asgjë nuk do të na ndalë së mbështeturi Ukrainën”. Ai shtoi se faktet duheshin përsëritur qartë. “Estonia nuk ka dhënë leje që hapësira e saj ajrore apo zonat e saj detare të përdoren për sulme kundër Rusisë.”

Komandanti i Marinës së Estonisë, Ivo Värk, u tha mediave lokale se “qoftë në Gjirin e Finlandës, në Detin e Zi apo edhe në Mesdhe, çdo zonë jashtë ujërave territoriale të shteteve bregdetare është një hapësirë krejtësisht legjitime për të dyja palët ndërluftuese për të kryer operacionet e tyre ushtarake”.

Ndryshimi i taktikave

Merkury është e së njëjtës klasë me korvetën Boiky, e cila u godit nga dronët ukrainas në qershor, ndërsa ndodhej në një dok të thatë pranë Shën Petersburgut.

Analistët kanë vërejtur një ndryshim në taktikat e Ukrainës këtë vit, me përpjekje gjithnjë e më të shpeshta për të goditur fregata dhe korveta. Një shpjegim i mundshëm është se Ukraina po përpiqet të nxjerrë jashtë përdorimit anijet nga të cilat lëshohen raketat lundruese kundër saj.

Përpjekjet janë përqendruar në Detin e Zi dhe në Mesdhe. Për të goditur bazën ruse në Kaliningrad, në Detin Baltik, dronët do të duhej të kalonin nëpër territor të NATO’së, një veprim me rrezik politik.

Davis tha se kjo “nuk përbën në vetvete një përshkallëzim, sepse janë rusët ata që vazhdimisht e përshkallëzojnë luftën. Kjo është një përgjigje ndaj përshkallëzimit rus”.

“Ukrainasit po godasin anijet ruse që mbështesin luftën e Rusisë dhe […] po ia bëjnë të qartë Moskës se Ukraina mund t’ia godasë transportin detar, duke ua vështirësuar rusëve të nxjerrin përfitime ekonomike […] për ta mbajtur luftën në këmbë.”

Në prill, Associated Press raportoi se specialistë ukrainas të dronëve po godisnin anije ruse nga baza në perëndim të Libisë, në kuadër të një marrëveshjeje të fshehtë mes Kievit dhe qeverisë së Abdul-Hamid Dbeibahut, e cila ndodhej nën trysni. Dbeibah është kryeministër i Libisë në kuadër të Qeverisë së Unitetit Kombëtar, të njohur ndërkombëtarisht. Ushtria Kombëtare Libiane, rivale e kësaj qeverie dhe e mbështetur nga Rusia, kontrollon lindjen dhe jugun e Libisë, përfshirë Bengazin.

Transmetuesi publik francez RFI e konfirmoi në mënyrë të pavarur raportimin, duke thënë se më shumë se 200 oficerë dhe specialistë ukrainas ishin vendosur në Libi. Disa prej tyre ndodheshin në Akademinë e Forcave Ajrore në Misrata, ku ishin të pranishme edhe Komanda e SHBA-së për Afrikën dhe një qendër britanike e inteligjencës.

Sipas RFI-së, ukrainasit kishin edhe një bazë të pajisur plotësisht për lëshimin e dronëve ajrorë dhe detarë në qytetin portual Az-Zāwiyah, rreth 50 kilometra në veri të Tripolit. Në shtator, një operator ukrainas i dronëve detarë, i vendosur në Libi, i tha CNN-it se njësia e tij po përdorte bazën ushtarake ndërkombëtare në Misrata për të nisur sulme kundër “flotës në hije” të Rusisë, në këmbim të trajnimit të forcave vendore.

Ekipi ukrainas i dronëve në Libi u lidh me sulmin me dronë ajrorë dhe detarë ndaj cisternës së karburantit Arctic Metagaz në mars, në pjesën qendrore të Mesdheut, në juglindje të Maltës.

Mediat ukrainase raportuan gjithashtu se Ukraina qëndronte pas një sulmi me dronë në dhjetor ndaj cisternës së naftës Qendil. Anija, pjesë e flotës ruse në hije që është nën sanksione, u godit në Mesdheun lindor, mes Maltës dhe Kretës. Kompania e sigurisë Vanguard tha se sulmi tregonte “një zgjerim të ndjeshëm të përdorimit nga Ukraina të sistemeve ajrore pa pilot kundër mjeteve detare të lidhura me rrjetin rus të eksportit të naftës që është nën sanksione”.

Ukraina u dyshua gjithashtu për fundosjen e anijes së mallrave Ursa Major pranë brigjeve të Spanjës në dhjetor. Qeveria spanjolle tha se kapiteni kishte “pranuar” se anija transportonte “pjesë për dy reaktorë bërthamorë të ngjashëm me ata që përdoren në nëndetëse”. Hetuesit dyshonin se ngarkesa po transportohej nga Rusia drejt Koresë së Veriut.

Shqetësimi i NATO’së

Teksa operacionet e Ukrainës kundër Rusisë afrohen me territorin e NATO’së, disa vende perëndimore po shprehin kundërshtime.

Sulmi ndaj cisternës Arctic Metagaz shkaktoi shqetësim në Itali. Për njëfarë kohe, autoritetet italiane druheshin se erërat mund ta shtynin anijen e dëmtuar drejt brigjeve të vendit dhe të shkaktonin një katastrofë mjedisore. Një zyrtar e përshkroi për CNN si “një bombë me sahat”.

Në fillim të këtij viti, peshkatarë vendas gjetën një dron detar të mbushur me eksploziv pranë ishullit grek Lefkada, në Detin Jon.

Athina reagoi ashpër. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, tha se droni ishte ukrainas dhe se “mbante eksploziv, duke rrezikuar sigurinë e lundrimit. Nuk dua ta mendoj se çfarë do të ndodhte nëse një anije pasagjerësh, apo çfarëdo anijeje tjetër, do të përplasej me atë dron”.

Në fund të majit, Greqia, anëtare e NATO’së, i dorëzoi Kievit një notë zyrtare proteste diplomatike. Në të, sipas raportimeve, thuhej se droni “përbënte një kërcënim serioz për qarkullimin detar dhe mund të kishte shkaktuar humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm. Për më tepër, mund të kishte shkaktuar dëme të pallogaritshme mjedisore”.

“Zgjerimi i operacioneve ushtarake në Mesdhe, larg vijës së frontit, vë në rrezik sigurinë tonë kombëtare dhe i jep një goditje shkatërruese ekonomisë sonë”, thuhej në notë. “E drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje nuk mund të justifikojë veprime të kësaj natyre.”

Në notë, Athina i kërkonte Kievit “të përmbahet nga zgjerimi i pajustifikuar i operacioneve luftarake në Mesdhe”.

Edhe veprimet ushtarake të Rusisë po prekin territorin e NATO’së.

Të dielën, autoritetet polake thanë se kishin gjetur mbetje të raketave lundruese ruse që kishin hyrë në territorin e Polonisë gjatë një sulmi masiv ndaj Ukrainës të premten.

“Ky sulm i Federatës Ruse në territorin e Ukrainës, me pasoja edhe për Poloninë, ishte një nga më të mëdhenjtë që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në Ukrainë”, tha ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.

Sekretari i përgjithshëm i NATO’së, Mark Rutte, e cilësoi sulmin si “qartazi të rrezikshëm”.

Edhe Moldavia dhe Finlanda raportuan gjatë fundjavës shkelje të hapësirës së tyre ajrore nga Rusia.

Sipas Davisit, dallimi mes veprimeve të Rusisë dhe atyre të Ukrainës qëndron në faktin se “rusët e kanë qëllimisht NATO-n në shënjestër”.

“Është e qartë se Ukraina dhe NATO-ja duhet të koordinohen më mirë për këtë çështje [të sulmeve ukrainase pranë territorit të NATO’së]”, tha ai.

“Por nuk mendoj se kjo do ta shtyjë medoemos NATO-n t’ia kthejë shpinën Ukrainës. Shumë vende anëtare e kuptojnë se, nëse Ukraina e humb luftën dhe Rusia fiton, shënjestra e radhës e Rusisë do të jetë NATO-ja.”