Ekonomi Kosovë Lajme

Banka Botërore publikon parashikimet ekonomike për Ballkanin Perëndimor, ja ku renditet Kosova

Banka Botërore parashikon përshpejtim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2026 dhe forcim të mëtejshëm në vitet pasuese, por paralajmëron se pengesat tregtare dhe kostot e larta administrative vazhdojnë të kufizojnë zhvillimin e bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar të martën, më 27 tetor 2026, rritja mesatare ekonomike në gjashtë vendet e rajonit pritet të arrijë në 3.1 për qind gjatë këtij viti, krahasuar me 2.6 për qind në vitin 2025.

Parashikimet tregojnë se ekonomia rajonale do të vazhdojë të zgjerohet, duke arritur një rritje prej 3.4 për qind në vitin 2027, nivel që pritet të ruhet edhe gjatë vitit 2028.

Sa i përket Kosovës, Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2026, të njëjtin nivel me vitin paraprak. Ndërkohë, ekonomia e vendit pritet të përshpejtohet në 3.8 për qind në vitin 2027 dhe 3.9 për qind në vitin 2028.

Megjithatë, parashikimet për Kosovën janë ulur me 0.1 pikë përqindjeje për secilin nga tre vjetët, krahasuar me vlerësimet e publikuara në pranverën e vitit 2026.

Në nivel rajonal, Shqipëria pritet të shënojë rritje prej 3.4 për qind këtë vit, Bosnja dhe Hercegovina 2.4 për qind, Maqedonia e Veriut 3.3 për qind, Mali i Zi 3.2 për qind dhe Serbia 3.1 për qind.

Banka Botërore vlerëson se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë treguar qëndrueshmëri përballë pasigurive gjeopolitike dhe ngadalësimit ekonomik të partnerëve kryesorë tregtarë, duke vazhduar procesin e afrimit me standardet ekonomike të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, institucioni financiar ndërkombëtar paralajmëron se qëndrueshmëria ekonomike, e vetme, nuk është e mjaftueshme për të garantuar zhvillim afatgjatë dhe vende pune më cilësore.

“Në një kohë pasigurish të shtuara gjeopolitike dhe rritjeje të ngadaltë ekonomike tek partnerët kryesorë tregtarë, Ballkani Perëndimor dëshmoi sërish qëndrueshmëri ekonomike”, deklaroi Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, rajoni duhet të ndërmarrë reforma më të thella për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të zvogëluar pengesat që kufizojnë konkurrueshmërinë e kompanive.

“Vetëm qëndrueshmëria nuk mjafton që rajoni të afrohet me nivelet mesatare të të ardhurave në Bashkimin Evropian apo të krijojë vendet cilësore të punës për të cilat ka nevojë”, theksoi Yu.

Një nga problemet kryesore të identifikuara në raport mbeten kostot e tregtisë, të cilat vazhdojnë të rëndojnë mbi bizneset e rajonit, pavarësisht liberalizimit të vazhdueshëm të tarifave doganore.

Sipas Bankës Botërore, tregtia e mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor arriti në 107 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2025, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Evropian prej 90 për qind.

Ndërkohë, eksportet e shërbimeve në rajon janë katërfishuar gjatë periudhës 2010–2025.

Por, pavarësisht këtij integrimi tregtar, bizneset vazhdojnë të përballen me pengesa të konsiderueshme administrative dhe rregullatore.

Tarifat mesatare për mallrat e importuara në rajon janë rreth 6 për qind, ndërsa masat jotarifore krijojnë një kosto shtesë prej rreth 10 për qind. Në disa sektorë agro-ushqimorë, këto kosto tejkalojnë 20 për qind.

Edhe më problematike paraqitet situata në tregtinë ndërkufitare të shërbimeve, ku kufizimet ekzistuese krijojnë kosto të vlerësuara në 29 për qind.

Banka Botërore vlerëson se eliminimi i gjysmës së pengesave ekzistuese për importet mund të rrisë Produktin e Brendshëm Bruto të vendeve të rajonit deri në 12.5 për qind në afatmesëm.

Këto pengesa përfshijnë procedurat e ndërlikuara të licencimit, inspektimet e përsëritura, kërkesat për certifikim dhe rregullat që detyrojnë kompanitë të kenë prani fizike në tregjet vendase.

Raporti evidenton gjithashtu vështirësitë me të cilat përballen ndërmarrjet eksportuese për të ruajtur pozicionin e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Vetëm rreth një e treta e marrëdhënieve të reja të eksportit të krijuara nga kompanitë e Ballkanit Perëndimor arrijnë të mbijetojnë vitin e parë, ndërsa vetëm 1 deri në 4 për qind vazhdojnë edhe në vitin e pestë.

Kjo situatë ka ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, pasi kompanitë eksportuese punësojnë shumicën dërrmuese të punonjësve në sektorin përpunues të rajonit. Ato janë përgjithësisht më të mëdha dhe ofrojnë paga më të larta sesa ndërmarrjet që operojnë vetëm në tregjet vendase.

Për këtë arsye, Banka Botërore rekomandon që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të përqendrohen në thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave administrative, përmirësimin e sistemeve të inspektimit dhe njohjen e standardeve e kualifikimeve të harmonizuara.

Sipas raportit, objektivi nuk duhet të jetë thjesht reduktimi i numrit të rregullave, por krijimi i një sistemi më efikas dhe të parashikueshëm, që u mundëson bizneseve të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare dhe të krijojnë vende pune më cilësore.

Banka Botërore thekson se ulja e kostove të tregtisë dhe eliminimi i barrierave të panevojshme janë thelbësore për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.