Kosovë Lajme

Vrasja e Arlinda Zekajt, reagon ambasada gjermane

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar më shumë angazhim për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e atyre që janë në rrezik.

Në reagimin e saj, ambasada u shpreh se është thellësisht e pikëlluar për vrasjen, ndërsa familjes dhe të afërmve të viktimës u shprehu ngushëllime.

“Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna dhe kjo e drejtë duhet të garantohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”, thuhet në reagim.

Ambasada vlerësoi se vrasja e Arlinda Zekajt duhet të shërbejë si një kujtesë se femicidi nuk është rast i izoluar, por një problem serioz shoqëror dhe forma më ekstreme e dhunës ndaj grave.

Sipas saj, mbrojtja e grave që përballen me rrezik duhet të jetë prioritet, përmes masave parandaluese, ndërhyrjes me kohë të institucioneve dhe ofrimit të shërbimeve mbështetëse.

Ambasada rikujtoi se Kosova është palë në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Në fund, ajo u bëri thirrje institucioneve dhe akterëve të tjerë përgjegjës që të shtojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes.

“Duhet të kultivohet një kulturë në të cilën dhuna as nuk tolerohet dhe as nuk shpërfillet”, thuhet në reagimin e ambasadës.