Kosovë Kronikë Policore Lajme

Bëhet i ditur identiteti i gruas së vrarë dhe dorasit në Pejë!

Një rast i rëndë ka tronditur Pejën mbrëmjen e së dielës. Një grua dyshohet se është vrarë nga kunati i saj.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Albert Sylaj, kunati i viktimës, Arlinda Sylaj Zekaj (1977), i cili dyshohet se e ka goditur me sëpatë në kokë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjithçka ka ndodhur më 25 tetor, në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.

Sipas informacioneve të këtij mediumi, rreth orës 19:00, Arlinda ishte shoqëruar nga një patrullë në Stacionin Policor në Pejë, ku ishte intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje.

Rreth orës 20:58, ajo ishte kthyer në shtëpi nga e njëjta patrullë.

Vetëm rreth dhjetë minuta pas largimit të policëve, në stacion mbërriti informacioni për një vrasje në të njëjtën adresë.

Kur patrulla u kthye, 49-vjeçarja u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit. Ekipi mjekësor që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e saj.

Sipas dyshimeve fillestare, Albert Sylaj e kishte goditur viktimën me sëpatë dhe më pas ishte larguar me një veturë Golf 3, me ngjyrë të kuqe.

Në momentin e raportimit fillestar, vendndodhja e tij nuk dihej.