Agron Hajdari, i njohur me nofkën “Radulla”, raportohet të jetë viktima pas të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.
I njëjti ishte i njohur edhe më herët për organet e rendit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Ai ka thënë se rreth orës 20:30 policia është informuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Sali Nivica”, te Bregu i Diellit.
Pllana më tej bëri të ditur se policia dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendngjarje, ku është konstatuar vdekja e një personi.
“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia, në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetimet lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë ai.
