Policia e Kosovës ka bërë të ditura detaje për rastin e rëndë në Vitomiricë të Pejës, ku një grua u gjet e vrarë të dielën në mbrëmje, pak para se rasti i dhunës në familje ishte raportuar në polici.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 19:00, zyrtarët e e Policisë në Pejë kishin pranuar një raportim për dhunë në familje. Gruaja ishte dërguar në stacion, ku ishte intervistuar, ndërsa intervistimit i ishte nënshtruar edhe bashkëshorti i saj, i cili ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Pas përfundimit të procedurave, gruaja ishte kthyer në shtëpinë e saj në Vitomiricë me vullnetin e saj.
Rreth orës 21:10, policia mori njoftimin se ajo ishte gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes dolën njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili konstatoi vdekjen.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, i dyshuari për rastin e dytë, i cili dyshohet të jetë kunati i viktimës, vazhdon të jetë në arrati.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe për gjetjen e arrestimin e të dyshuarit.
