detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”/
Këto fjalë i shkroi Arlinda Sylaj Zekaj në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra mizorisht në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ndërsa për krimin dyshohet kunati i saj.
Gazeta Sinjali ka siguruar letrën e Arlindës, përmes së cilës ajo kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave.

Letra, e adresuar për Kryeprokuroren dhe e shënuar si urgjente, përmban një paralajmërim tronditës për rrezikun që viktima ndiente ndaj jetës së saj.
Në të, ajo kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.
Arlinda kishte kërkuar gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.
“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, përpara se të shprehte frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.
Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar edhe fjalët:
“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”
Tri ditë pas pranimit të kësaj letre në Prokurori, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.
