Deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka zbuluar detaje nga takimi Kurti-Hamza që përfundoi para pak minutash.
“Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, thuhet t’i ketë thënë Kurti, Hamzës.
Postimi i plotë i Blerta Deliut:
“Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, a ka shprehje ma të qartë të pazarit me kauzën e çlirimtarëve?
Po thoni se UÇK-ja është e të gjithëve. Atëherë pse vota juaj për ligjin varet prej asaj çka merrni për vete?
Nëse UÇK-ja është e të gjithëve, edhe përgjegjësia është e të gjithëve. Votojeni ligjin pa ia vu çmimin!
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i ka mbyllur më herët punimet e seancës së sotme të jashtëzakonshme, pas shqyrtimit të 22 pikave të rendit të ditës.
Pikë e parë ishte ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u votua në parim me 91 vota për dhe asnjë kundër. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, duke paralajmëruar për “rreziqe juridike, politike dhe ndërkombëtare” për shtetin.
Jashtë Kuvendit po shtohet numri i protestuesve, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do t’i lënë deputetët të dalin nga Kuvendi derisa të votohet edhe në lexim të dytë projektligji për Specialen.
Organizatori i protestave të përnatshme në shesh, Çlirim Haziri tha më herët për T7 se “deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të mund të dalin pa e votuar ligjin për Dhomat e Specializuara”.
