Botë Lajme Politikë

Trump flet pas takimit në Kinë: Nuk marr vendime për Ukrainën pa Zelenskyn!

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do të marrë asnjë vendim përfundimtar lidhur me luftën në Ukrainë pa përfshirjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Deklarata e Trump vjen pas takimit historik trepalësh me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë kinez, Xi Jinping, të zhvilluar në Shenzhen të Kinës.

“Nuk do të merrja asnjë vendim përfundimtar në lidhje me luftën në Ukrainë pa Zelenskyn”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump foli gjithashtu për marrëdhënien mes Putinit dhe homologut ukrainas, duke thënë se presidenti rus ishte jashtëzakonisht i zemëruar me Zelenskyn pë r sulmin ndaj Urës së Krimesë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se e kuptonte zemërimin e liderit rus.

Nga ana tjetër, mungesa e Ukrainës në samitin trepalësh ka shkaktuar pakënaqësi në Kiev. Presidenti Zelenskyy e ka cilësuar mospjesëmarrjen e vendit të tij në këtë takim si një “gabim të madh”, duke këmbëngulur se asnjë marrëveshje që prek të ardhmen e Ukrainës nuk mund të arrihet pa përfshirjen e saj.

Më herët, Zelenskyy kishte deklaruar se Trump dhe Xi Jinping kanë fuqinë ekonomike dhe politike për t’i dhënë fund luftës, nëse ushtrojnë presion të koordinuar ndaj Moskës.

Sipas tij, kërcënimi me sanksione ndaj tregtisë me Rusinë nga dy ekonomitë më të mëdha të botës mund të detyronte Vladimir Putinin të ndalte agresionin.

Takimi Trump-Putin-Xi në Kinë është zhvilluar në një moment vendimtar për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Ukraina dhe vendet europiane kërkojnë të kenë rol në çdo negociatë që përcakton të ardhmen e sigurisë në rajon.

Deklarata e Trump për përfshirjen e Zelenskyt vjen mes shqetësimeve se Uashingtoni dhe Moska mund të arrijnë marrëveshje për çështje që lidhen drejtpërdrejt me Ukrainën, pa pjesëmarrjen e Kievit.