Kosovë Lajme Shëndetësi

Fruthi në rritje në Kosovë, 112 raste të regjistruara – 50 vetëm gjatë një muaji

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja të fruthit në Kosovë.

Sipas IKShPK-së, shqetësues mbetet shtimi i rasteve brenda një periudhe të shkurtër. Më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 112 raste.

Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, gjithsej 37, e pasuar nga Fushë-Kosova me 29 raste, Ferizaj me 12, Kaçaniku me shtatë dhe Obiliqi me gjashtë raste.

Nga tri raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri. Nga një rast është regjistruar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti.

IKShPK ka bërë të ditur se ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve – Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj – kanë intensifikuar aktivitetet e tyre.

Gjatë javës së fundit, këto ekipe kanë vaksinuar me vaksinën MMR gjithsej 147 fëmijë të cilët kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta të fruthit, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjunktivit, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.

Sipas institutit, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.