Botë Lajme

Tërmet 7.4 ballë në Kolumbi, të paktën 47 të vdekur

Të paktën 47 persona kanë humbur jetën nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi të hënën pjesën perëndimore të Kolumbisë.

Lëkundjet shkaktuan dëme të mëdha materiale, me dhjetëra ndërtesa të dëmtuara ose të shembura, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet për persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua pranë San José del Palmar, në departamentin Chocó, rreth 400 kilometra në perëndim të kryeqytetit Bogotá. Lëkundjet e fuqishme u ndjenë në një pjesë të madhe të vendit, duke bërë që banorët të dilnin në rrugë nga frika e shembjeve të mundshme.

Ndër zonat më të prekura janë Pereira, Manizales dhe Valle del Cauca. Në Cali janë raportuar shembje të një numri ndërtesash, ndërsa autoritetet po verifikojnë përmasat e dëmeve.

Guvernatorja e Valle del Cauca, Dilian Francisca Toro, ka bërë të ditur se në komunën Calima El Darién kanë humbur jetën edhe tre fëmijë, pasi një mur u shemb nga lëkundjet.

Autoritetet kanë paralajmëruar se mund të ketë pasgoditje dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm.

Sipas Associated Press (AP), bilanci i viktimave ka arritur në të paktën 47, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve po vazhdojnë. Edhe Reuters ka raportuar për tërmetin dhe pasojat e tij.

Bilanci pritet të ndryshojë ndërsa ekipet në terren vijojnë kontrollin e zonave të prekura.