Kosovë Kronikë Policore Lajme

Skandal në ARBK: Ermal Sadiku kërkon hetim pas dyshimeve për ekspozimin e të dhënave të bizneseve

Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Ermal Sadiku, ka ngritur shqetësime publike lidhur me sigurinë e të dhënave në platformën e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Përmes një reagimi publik, Sadiku ka deklaruar se në faqen e ARBK-së kanë qenë të qasshme dokumente të ndryshme të bizneseve, përfshirë nënshkrime dhe kopje të letërnjoftimeve, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ai ka ngritur gjithashtu dyshimin se mbingarkesa e vazhdueshme e sistemit mund të lidhet me kërkesa të automatizuara, duke theksuar se kjo është një hipotezë që kërkon verifikim teknik.

Sipas Sadikut, nëse konfirmohet se ka pasur ekspozim të paautorizuar të të dhënave ose keqpërdorim të sistemit, rasti duhet të hetohet nga autoritetet kompetente, përfshirë njësitë për krime kibernetike të Policisë së Kosovës dhe Prokurorinë.

“Shpresoj sinqerisht që të jem gabim, por kam frikë se këto të dhëna mund të jenë duke u grumbulluar për t’u keqpërdorur më vonë, përfshirë edhe për qëllime politike ndaj bizneseve. Fatkeqësisht, raste të ngjashme kemi parë edhe në të kaluarën”, ka shkruar ai.

POSTIMI