Platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptovalutave, Binance, është goditur nga një sulm masiv kibernetik, gjatë të cilit dyshohet se janë vjedhur të paktën 6.3 miliardë dollarë në kriptovaluta.
Studiuesit e sigurisë kibernetike ia kanë atribuuar sulmin hakerëve të lidhur me Korenë e Veriut, duke e cilësuar atë si vjedhjen më të madhe të kriptovalutave të regjistruar ndonjëherë.
Sipas raportimit të mediumit amerikan TechCrunch, rreth gjysma e shumës së vjedhur, afërsisht 3 miliardë dollarë, është arritur të ngrihet nga partnerët e industrisë, derisa asetet e tjera vazhdojnë të jenë në rrezik për t’u transferuar dhe pastruar përmes platformave të ndryshme.
Në një reagim publik, Binance bëri të ditur se hetimet fillestare kanë treguar se sulmi mund të ketë nisur nga kompjuteri i komprometuar i një inxhinieri të kompanisë.
Përmes këtij kompjuteri, sulmuesit dyshohet se kanë arritur të depërtojnë në sistemet e brendshme të kompanisë dhe të realizojnë transaksione të paautorizuara për të tërhequr kriptovalutat.
Kompania ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka gjetur dëshmi se çelësat privatë të kuletave të saj janë komprometuar, ndërsa ka siguruar përdoruesit se fondet e tyre janë të sigurta.
Megjithatë, hetimet kanë zbuluar edhe pika të tjera të mundshme të komprometimit, ndërsa Binance është duke bashkëpunuar me partnerët dhe autoritetet për të zbardhur plotësisht rastin.
Sipas studiuesve të kompanisë së inteligjencës së bllokzinxhirit TRM Labs, sulmi dyshohet se është kryer nga grupi i njohur si TraderTraitor, i lidhur me Korenë e Veriut dhe i specializuar në vjedhjen e kriptovalutave nga kompani dhe platforma të mëdha.
Edhe kompania e sigurisë Elliptic ka gjetur të dhëna që e lidhin sulmin me hakerët e Koresë së Veriut.
Sipas analizave, pjesa më e madhe e shumës së vjedhur është transferuar brenda rreth 20 minutash.
Sulmi ka nxitur shqetësime të mëdha në industrinë e kriptovalutave, pasi shuma e vjedhur tejkalon ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej rreth 1.4 miliardë dollarësh, të vjedhur nga platforma Bybit në vitin 2025.
Binance ka pezulluar përkohësisht depozitat dhe tërheqjet, derisa po vazhdon hetimet për incidentin.
