Kosovë Kronikë Policore Lajme

Supremja ia ndalon policisë mbajtjen e patentë-shoferit deri në një vit

Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm një dispozitë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila i mundësonte policisë që patentë-shoferët e konfiskuar t’ua kthente qytetarëve vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të automjetit.

Sipas këtij rregullimi, qytetarët mund të mbeteshin pa patentë-shoferë për tre, gjashtë apo edhe 12 muaj, varësisht nga kohëzgjatja e masës mbrojtëse.

Supremja ka thënë se Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor përcakton qartë se patenta mund të mbahet përkohësisht vetëm në rastet e parashikuara me ligj dhe jo më gjatë se tetë ditë.

“Një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë që nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Në aktgjykimin e saj, Supremja po ashtu ka konstatuar se kjo dispozitë është në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili përcakton se Policia mund ta mbajë përkohësisht patentë-shoferin për jo më shumë se tetë ditë.

Vendimi është marrë pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës. Gjykata e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë, duke shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Megjithatë, Supremja nuk i ka shfuqizuar të gjitha dispozitat e nenit 17 të këtij udhëzimi administrativ. Ajo ka vlerësuar se paragrafët 1 dhe 2 janë në përputhje me ligjin, pasi rregullojnë vetëm aspektet procedurale të administrimit të dokumentit dhe lëshimit të vërtetimit për qytetarin.

Pas nxjerrjes së këtij udhëzimi administrativ, policia kishte konfiskuar patentë-shoferë të qytetarëve, të cilët nuk u ishin kthyer edhe për periudha deri në një vit.