Kosovë Kronikë Policore Lajme

“Me ndjenjën e përgjegjësisë …”, publikohet letra e dorëheqjes së Gazmend Hoxhës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor.

Në letrën drejtuar kryeministrit, Hoxha ka thënë se vendimin për dorëheqje e ka marrë pas një reflektimi të thellë, duke përmendur si arsye edhe rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ai ka thënë se dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues dhe se, pavarësisht angazhimit të Policisë, nevojitet një qasje më e koordinuar ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka theksuar se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe ruajtjen e standardeve të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit të institucionit.

“Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies”, thuhet në letrën e tij.

Në këtë shkresë, Hoxha ka përmendur edhe rezultatet e Policisë së Kosovës gjatë periudhës sa ishte në krye të këtij institucioni, duke veçuar operacionet në veri të vendit, sulmin në Zveçan, atë në Banjskë dhe hetimin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

LETRA