Kosovë Kronikë Policore Lajme

Pas alarmit për sigurinë e të dhënave, ARBK reagon: Regjistri i Bizneseve është publik dhe publikimi bëhet sipas ligjit

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me qasjen në dokumentet e Regjistrit të Bizneseve, duke theksuar se publikimi i të dhënave bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Reagimi vjen pasi deputeti i zgjedhur i LDK’së, Ermal Sadiku, ngriti alarmin se në sistem kanë qenë të qasshme dokumente të ndryshme të bizneseve, përfshirë nënshkrime dhe kopje të letërnjoftimeve, duke kërkuar që rasti të hetohet nga institucionet përgjegjëse nëse konstatohet ekspozim i paautorizuar i të dhënave.

Në komunikatën e saj, ARBK thekson se Regjistri i Bizneseve është regjistër publik dhe se publikimi i të dhënave mbështetet në Ligjin Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, si dhe në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas Agjencisë, publikohen vetëm ato të dhëna që ligji i përcakton si publike, ndërsa të dhënat personale dhe informacionet që nuk janë të destinuara për publikim mbrohen dhe nuk janë pjesë e qasjes publike.

ARBK thekson se qëllimi i publikimit të të dhënave është rritja e transparencës së veprimtarisë ekonomike, garantimi i sigurisë juridike dhe lehtësimi i verifikimit të statusit të subjekteve afariste.

Në fund të reagimit, Agjencia u bën thirrje qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve që të përdorin të dhënat publike vetëm për qëllime të ligjshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Megjithatë, reagimi i ARBK-së nuk adreson drejtpërdrejt pretendimet se dokumente si kopje të letërnjoftimeve dhe nënshkrime kanë qenë të qasshme publikisht.

Në përmbyllje të reagimit, ARBK thekson se mbetet e përkushtuar për zbatimin e obligimeve ligjore, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut, si dhe garantimin që të gjitha proceset të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale.