Viti i kaluar i kishte gjetur rrugët e kryeqytetit të përballeshin periodikisht me bllokimin e grumbullimit të mbeturinave dhe kamionët mbeteshin pa naftë në garazhe. As fillimi i këtij viti nuk dukej shumë më i mirë në terren, por brenda zyrave të ndërmarrjes publike KRM “Pastrimi” po shkruhej një histori krejt tjetër suksesi në letër.
Përplasjet politike, pretendimet për falimentim të qëllimshëm dhe pakënaqësitë e punëtorëve morën një përgjigje zyrtare nga Bordi i Drejtorëve: vazhdim mandati dhe certifikim si “sukses i jashtëzakonshëm”.
Përballja mes KRM “Pastrimi” dhe Komunës së Prishtinës arriti kulmin kur ndërmarrja doli publikisht me alarmin se po çohej drejt falimentimit të detyruar. Bllokimi i mjeteve financiare nga ana e Komunës dhe heqja e së drejtës së faturimit direkt i lanë punëtorët e operativës pa kushte elementare pune.
Kjo përplasje eskaloi në grevë e protestë para objektit të Komunës së Prishtinës, ku punëtorët e terrenit dolën në rrugë me parulla të drejtpërdrejta kundër vendimit të pushtetit lokal për kontraktimin e kompanive private.
Mirëpo, prapa kërkesave sociale të punëtorëve fshihej edhe një prapaskenë e fortë politike.
PDK në kohën e gravës së “Pastrimit” para komunës së drejtuar nga Përparim Rama i LDK-së, veçse kishte dalë nga koalicioni me këtë të fundit. Pas rizgjedhjes së Ramës edhe për një mandat, PDK përsëri, nën drejtimin e Uran Ismailit, ka hyrë në koalicion me LDK-në.
Nga ana tjetër, menaxhmenti e akuzonte atë kohë Komunën për ndërhyrje arbitrare dhe krijim artificial të krizës së likuiditetit, duke pretenduar se Komuna i kishte ndërmarrjes borxh miliona euro nga taksat e grumbulluara.
Por, gjatë të njëjtave protestave, nga radhët e vetë punëtorëve të terrenit u dëgjuan edhe denoncime të ashpra kundër vetë udhëheqjes së ndërmarrjes, të cilët e akuzonin drejtorinë për fryrje të panevojshme të stafit administrativ në mes të krizës financiare:
“E kanë bërë administratën si me qenë Postë” – deklaronin punëtorët e terrenit para medieve, duke iu referuar punësimeve të reja në zyra, ndërkohë që në terren mungonin shoferët dhe stafi operativ.
Magjia e Bordit: Profit prej 4.8 milionësh dhe vazhdimi i mandatit në letrën zyrtare
Përkundër protestave në rrugë dhe mungesës së naftës, Bordi i Drejtorëve i KRM “Pastrimi” Sh.A., i kryesuar nga Fatos Selimi, mori vendim zyrtar më 08.02.2026 për t’ia vazhduar mandatin Kryeshefit Ekzekutiv, Petrit Reçica.
Gazeta Insajderi ka muaj që e kërkon këtë vendim, por e ka siguruar vetëm pasi që Agjencia për Informim dhe Privatësi ka ndërhyrë me një vendim duke e detyruar kompainë e drejtuar nga Petrit Reçica që ta jap këtë dokument.
Në vendimin zyrtar, Bordi e ka arsyetuar këtë lëvizje duke e shndërruar kontabilitetin në letër në një certifikatë triumfi.
Bordi vendosi që “vazhdohet mandati tre (3) vjeçar i Kryeshefit Ekzekutiv z. Petrit Reçica me profesion Jurisit i Diplomuar në Kompaninë Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A – Prishtinë”, duke përcaktuar se marrëdhënia e tij kontraktuale do të zgjasë “nga 12.04.2026 deri më datë 12.04.2029”.
Për ta arsyetuar këtë vendim në mes të krizës, Bordi iu referua pasqyrave financiare të vitit 2025, duke konstatuar një shifër të jashtëzakonshme fitimi.
“Më tutje pasqyrat financiare të cilat janë aprovuar po në të njëjtën datë, vlerësojnë dhe konstatojnë që kompania ka arritur rezultat të jashtëzakonshëm financiar me performancë pozitive prej 4,823,550.34 Euro”, thuhet nqë vendimin që Insajderi e siguroi përmes AIP.
Sipas Bordit, ky rezultat “…përfaqëson një sukses të jashtëzakonshëm financiar dhe dëshmon për menaxhim të qëndrueshëm, rritje të efikasitetit operacional, si dhe konsolidim të stabilitetit financiar të ndërmarrjes”.
Në dokumentin zyrtar, Bordi i Drejtorëve po ashtu thirret te raportet e auditimit për t’ia mbyllur derën çdo kritike për keqmenaxhim.
“Performancat e këtyre dy viteve, kanë qenë të gjitha të nivelit pozitiv, si në pasqyrat financiare poashtu edhe në Raportet vjetore të audituara nga Auditorët e jashtëm përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, të cilat kanë qenë të nivelit më të lartë në kuptim pozitiv (pamodifikuar)”, thuhet në vendim.
E megjithatë, në faqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të uditimit, raporti i fundit i auditimit është ai i publikuar në vitin 2024 e që është për vitin 2023.
Dokumenti përmbyllet me një vlerësim maksimal për Reçicën.
“…konstatohet se Kryeshefi Ekzekutiv e ka ushtruar funksionin e tij me profesionalizëm të lartë, kompetencë të shprehur dhe përkushtim të plotë ndaj realizimit të objektivave institucionale. Performanca e tij vlerësohet shumë e mirë…”, thuhet në vendimin që u sigurua përmës AIP.
