Ish-profesori i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Bekim Bejta, nuk e ka pranuar fajësinë për kanosjen e ish-studentes së tij V.F.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bekim Bejta po akuzohet se ka kanosur studenten V.F., duke i thënë se çështjen do ta çonte deri te familja dhe se do ta zgjidhte me burra e me kanun. Sipas aktakuzës, këto fjalë ish-profesori i UP-së, i kishte bërë në prani të studentëve gjatë ligjëratave në vitin 2022.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arta Cukaj, i pandehuri deklaroi se nuk e pranon fajësinë për akuzën që i vihet në barrë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot më 28.10.2026.
“I pafajshëm tërësisht, plotësisht dhe amshueshmërisht.”- tha i pandehuri Bekim Bejta
Pas deklarimit të të akuzuarit, gjyqtari i rastit Eroll Gashi, njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se deri me datë 28.11.2026 kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Dosja e Prokurorisë
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bekim Bejta po akuzohet se me datë 20.10.2022, me qëllim të frikësimit e ka kanosur studenten V.F., me fjalët “po presim tash çka po ndodh, a po vjen diçka në favorin tim, a ka mem ndodh mu najsen këtë punë larg e çoj deri në familje shkoj”, “ku është ajo V., që po bon probleme, se këtë punë e kryej me burra dhe kanun se unë nuk merrna me femra”.
Sipas aktakuzës, këto fjalë i pandehuri i ka thënë në prezencë të studentëve gjatë ligjëratave me datë 27.06.2022, me çka të dëmtuarës i ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën.
Me këtë i pandehuri Bekim Bejta po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”.
