Alfred Ismajli, Artan Shala e Bion Beqiri, tre zyrtarët policor të cilët u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të informacionit zyrtar do të dalin sot para gjykatësit të procedurës paraprake pasi prokurori Esat Rama ka kërkuar masën e paraburgimit për të njëjtit.
Alfred Ismajli i cili është pjesë e Sektorit të Operativës në Stacionin policor “Jugu” në Prishtinë, në cilësi të udhëheqësit të ndërrimit, dyshohet se për një periudhë dy vjeçare kishte keqpërdorur detyrën e tij duke tejkaluar kompetencat e madje duke u koordinuar me një të dyshuar me emrin Mihajlo Milovanoviq, për ta ndihmuar këtë të fundit që të tjetërsoj një parcelë me anë të dokumenteve të falsifikuara.
Gazeta ka arritur që të siguroj dosjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë në të cilën përshkruhen veprimet e dyshimta të tre zyrtarëve policor dhe bashkëpunimin me dy persona të nacionalitetit serb për një pronë në zonën e Prishtinës.
Gjithmonë sipas dosjes, polici Ismajli nga data 12.03.2024 deri me datë 21.01.2026 pretendohet se ishte koordinuar me të dyshuarin Milovanoviq në lidhje me pronën që kap një sipërfaqe prej gati 6 mijë metra katror.
Dosja shpjegon se Ismajli koordinimin po e bënte me anë të dokumenteve të falsifikuara në mënyrë që të bartnin pronën me sipërfaqen e lartcekur në emër të një personi tjetër, Z. Jogodiq.
Më 31.10.2025, sipas dosjes një person e kishte paraqitur një rast në stacionin policor ‘Jugu’ në lidhje me pronën e njëjtë pasi pretendonte se prindi i tij e kishte berë vite më parë.
Për krejt këto zhvillime në stacion, pretendohet se Alfred Ismajli e kishte njoftuar personin me të cilën dyshohet se bashkëpunonte shtetasi serb Milovanoviq. Madje ky i fundit gjithmonë sipas dosjes kishte kërkuar nga polici Ismajli që ta bindte palën tjetër, shtetasin shqiptar që të tërheq ankesën nga kadastri dhe padinë nga gjykata.
Me këto veprime, Alfred Ismajli po dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në periudhën e njëjtë Alfred Ismajli siç përshkruan dosja kishte zbuluar informacione të brendshme duke njoftuar Milovanoviqin në lidhje me deklarimet e dëshmitarëve për procesin e hetimeve, madje i kishte dërguar të njëjtit edhe raporte të hetuesit Bion Beqiri, në mënyrë që Milovanoviq të shihte se si kishin vepruar në lidhje me rastin. Me këto veprime, Ismajli po dyshohet edhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në një tjetër veprim, ku ishte Alfred Ismajli pretendohet se ishte përfshirë edhe hetuesi policor Bion Beqiri. Dosja shpjegon se dy policët në vitin 2025 kishin intervistuar një zyrtar të kadastrit të Komunës së Prishtinës dhe të njëjtit dyshohet se i kishin bërë presion në mënyrë të vazhdueshme që të veproj në kundërshtim me detyrën e saj dhe të fshijë vërejtjen e regjistruar në lidhje me parcelën e cila ishte në pronësi të një shtetasi të Kosovës.
Tutje, pretendohet se të njëjtit policë kishin kërkuar nga zyrtarja e kadastrit që të shkonte dhe të dëshmonte me certifikatë të pronësisë e cila do të kalonte si trashëgimi në emër të një personi të nacionalitetit serb, Z. Jagodiq.E krejt këto sipas dosjes së kërkesës për masë të sigurisë, Alfred Ismajli e kishte bërë pasi që ishte udhëzuar nga i dyshuari M. Milovanoviq, që më pas i njëjti të shesë këtë pronë dhe të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme pasi kishte falsifikuar dokumentet e kësaj prone që më parë dhe e njëjta ishte tentuar të bartet te personi Z. Jagodiç. Me këto veprime dy policët dyshohet se kanë kryer veprën penale të marrjes së deklaratave me anë të shtrëngimit.
Në rast pretendohet se hyn edhe një polic tjetër, hetues i antidrogës në Prishtinës, Artan Shala.
Prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se në Prishtinë, i pandehuri Artan Shala, polic, duke keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, ashtu që i ka siguruar certifikatat e pronave publike e që më pas M. Milovanoviq për të njëjtat prona t`i falsifikonte dokumentet dhe më pas ato prona t’i paraqiste sikur janë me dokumente të rregullta dhe të njëjtat të shiten me qëllim që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga shitja e tyre. Këto veprime i pandehuri Artan Shala siaps dosjes i ndërmerr sipas udhëzimeve të M. Milovanoviqit, me ç’ rast më datë 29.05.2024 Milovanoviq e pyet të dyshuarin Artan Shala se “A fole me qat djal me nxir ato”, ndërsa më datë 30.05.2024 i pandehuri Artan Shala i tregon Milovanoviqit se “kto letrat un i kom kur t’ vish ti dha”, e me pas përmes viberit i dërgon fotografitë e kopjeve të certifikatave të pronësisë për disa parcela.
Me këto veprime i pandehuri Artan Shala pretendohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Një pikë tjetër që e ngarkon Shalën me veprën penale të shkeljes së fshehtësisë së procedurës është edhe dyshimi se i njëjti, duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, në bashkëpunim me personat e tjerë më datë 30.05.2024 i kishte vënë në shërbim M. Milovanoviq dokumentet si certifikatat e pronësisë të pronave shoqërore të cilat i kishte siguruar në mënyrë të kundërligjshme që më pas të njëjtat të tjetërsohen nga i njëjti.
Dosja tregon edhe se dy persona të nacionalitetit serb, Mihajlo Milovanoviq dhe Zhelko Jagodiqishin janë arrestuar më 25.02.2026 nga hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe kundër korrupsionit nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve, mashtrimit dhe legalizimit të përmbajtjes së rremë.
Gjatë arrestimit të të dyshuarve ishin sekuestruar edhe disa telefona, më pas të njëjtit janë ekzaminuar dhe janë zbuluar edhe komunikimet me zyrtarët policor.
Mihajlo Milovanoviq ishte marrë me shitblerje të pronave dhe në disa raste ai sipas policisë kishte arritur që të përfitonte prona me anë të dokumenteve të falsifikuara.Nga përmbajtja e komunikimeve, policia kishte thënë se ka pasur edhe takime të zhvilluara mes të dyshuarve dhe zyrtarëve policor.
