Lajme Shëndetësi

Djali i axhës së ministrit Armend Muja caktohet U.D drejtor në Spitalin e Mitrovicës

Leonard Muja, specialist i pulmologjisë, është caktuar ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Vendimi është marrë nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), pas pezullimit të ish-drejtorit Gëzim Berisha nga kjo pozitë.

Muja do ta ushtrojë detyrën e drejtorit deri në një vendim të ri për udhëheqjen e këtij institucioni shëndetësor.

Ajo që e bën emërimin e Leonard Mujës edhe më interesant është lidhja e tij familjare me ministrin Armend Muja.

Leonard Muja është djali i axhës së Armend Mujës, lidhje të cilën vetë doktori e kishte konfirmuar publikisht në vitin 2022, kur kishte kandiduar për drejtor të Spitalit të Mitrovicës.

Në atë kohë, Muja ishte njëri nga pesë kandidatët për pozitën e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës.

Emërimi i tij në pozitën e ushtruesit të detyrës vjen pas pezullimit të Gëzim Berishës nga pozita e drejtorit dhe nga marrëdhënia e punës.

Berisha po hetohet nga Prokuroria për dyshimet lidhur me kanosjen ndaj bashkëshortes së tij.