Kosovë Lajme

Dështimi i Kurtit: Premtoi ulje të varfërisë, pas 5 viteve, Kosova vendi i dytë më i varfër në Evropë

Ulja e varfërisë dhe rritja e mirëqenies sociale ishte njëra prej prioriteteve të Qeverisë Kurti në vitin 2021. Në planprogramin e Qeverisë Kurti, ulja e varfërisë renditej ndër premtimet kryesore. Megjithatë, pas gjashtë vitesh, Kosova ka arritur të lërë pas vetëm Moldavinë dhe të renditet si shteti i dytë më i varfër në Evropë.

Sipas raportit të publikuar nga WorldAtlas, i bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF WEO 2025) për GDP-në për kokë banori sipas fuqisë blerëse (PPP), Kosova renditet si shteti i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.

Raporti pasqyron nivelin real të standardit të jetesës dhe nxjerr në pah dallimin mes deklarimeve politike dhe gjendjes ekonomike me të cilën përballen qytetarët çdo ditë. Rritja e çmimeve, pagat e ulëta, emigrimi masiv dhe vështirësitë ekonomike vazhdojnë të mbeten sfida serioze për shumë familje në Kosovë.

Sipas të dhënave të raportit, Moldavia mbetet shteti më i varfër në Evropë me GDP për kokë banori sipas PPP-së prej rreth 19,700 dollarësh. Pas saj renditet Kosova me rreth 20,400 dollarë për kokë banori.

Ndërkohë, para tre muajsh, raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregonte se gjatë vitit 2025 rritja ekonomike është ngadalësuar në 3.6 për qind (vit mbi vit).

Raporti po ashtu theksonte se inflacioni u përshpejtua në 5¼ për qind, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Raporti nënvizonte se, megjithëse punësimi formal ka vazhduar të rritet, pagat reale kanë stagnuar, ndërsa papunësia ka mbetur e lartë në nivelin 10 për qind.

Sipas FMN-së, pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, sidomos e grave, tregon se në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë kapacitete të pashfrytëzuara në ekonomi dhe në fuqinë punëtore.

Në lidhje me raportin tronditës, ministri në detyrë i Financave, Hekruan Murati është shprehur optimist se Kosova po ngritet ekonomikisht.

Jemi ngritur,” tha ai, “kemi kaluar një shtet.”

“Kosova ka qenë e fundit, kur ne e kemi marrë qeverisjen. Dhe tash kemi ngritje më lartë. Nëse shihet vitet e kaluara deri më 2019, diferenca ne vendet e tjera ka shku tu u rrit, vendet tjera kanë shku tu i ik Kosovës. Ne e kemi ngushtuar diferencën, por edhe e kemi kaluar një shtet, Moldavinë. Presim t’i kalojmë edhe shtetet e tjera,” tha ai./PERISKOPI