Kosovë Kronikë Policore Lajme

Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim për akuzën se spiunoi për BIA-n serbe

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-zyrtares së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, e cila akuzohet për spiunazh, duke e dënuar me 6 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri me anëtarët Avni Syla dhe Kujtim Krasniqi.

Gjykatësi Beqiri tha se e akuzuara është fajtor për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal dhe dënohet me 6 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Urdhërohet konfiskimi i pajisjeve telefonike.

Gjukanoviqit i vazhdohet masa e paraburgimit por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Prezent në shpallje ishin prokurori special Bekim Kodraliu, e akuzuara Gjukanoviq me mbrojtësit e saj, avokatët Predrag Miljkoviq dhe Jelena Kragoviq.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi që palët të pranojnë vendimin e gjykatës me shkrim.

Gjykata e Apelit me vendimin e 20 janarit 2026 aprovoi ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq duke ndryshuar vendimin e Themelores dhe duke llogaritur prova të pranueshme gjetjet në telefonin e të akuzuarës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë nda Jelena Gjukanoviqit, e cila ngarkohej se nga data e pacaktuar e në vazhdimësi deri në momentin e arrestimit të saj, më datë 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumentet dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq.

Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjellë Vllajiqit informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, tek përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara përmes influencimit dhe ndikimit të saj, nga pozita që mbante në OSBE dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-s, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, kështu përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, e akuzuara ka cenuar rëndë rendin kushtetuese dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Me këtë, e akuzuara Jelena Gjukanoviq akuzohej se ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par.3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një organizatë ndërkombëtare që merret me sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e cila përmes misionit të saj ka prezencë zyrtare dhe seli edhe në Kosovë.