Deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj, ka ngritur shqetësimin për reagimin e institucioneve ndaj thirrjeve për ndihmë të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Pejë.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Reshitaj ka thënë se rasti i Arlindës bëhet edhe më i rëndë pas publikimit të incizimeve ku ajo dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga zyrtarët policorë.
Sipas saj, në njërin prej incizimeve, një zyrtar policor dëgjohet duke i thënë Arlindës se nuk është i obliguar të merret me të.
Reshitaj ka përmendur edhe raportimet se, tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte thirrur policinë, por zyrtarët ishin vonuar 70 minuta për shkak se nuk kishin pasur veturë zyrtare në dispozicion.
“Unë pyes sot se çfarë sigurie mund të ndjejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se ‘askush nuk është i obliguar të merret me të’”, ka deklaruar Reshitaj.
Deputetja ka thënë se vrasja e Arlindës nuk është rasti i vetëm që ngre pikëpyetje për mbrojtjen e qytetarëve nga institucionet. Ajo ka përmendur se, sipas saj, në dhjetë muajt e fundit janë regjistruar tetë vrasje.
“A po arrijnë institucionet tona t’i mbrojnë qytetarët kur ata kanë më së shumti nevojë?”, ka pyetur ajo.
Reshitaj ka kritikuar edhe paralajmërimet e Qeverisë për masa të reja në mbrojtje të grave, duke thënë se qytetarët kanë nevojë për përgjigje konkrete për përgjegjësinë institucionale në rastet e mëparshme.
“Si prisni që qytetarët t’ju besojnë se këto masa do të zbatohen vërtet, kur ende nuk kemi përgjigje të qarta për përgjegjësinë institucionale të rasteve të mëparshme?”, ka thënë Reshitaj.
