Kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Dy ditë më parë, Kurti u kishte dhënë 54 orë kohë Sveçlës dhe Gërvallës për të përgatitur raportet lidhur me dështimet e mundshme institucionale në rastin e Arlinda Zekajt.
Arsyet e mungesës së tyre i ka sqaruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se Kurti e kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë në seancë, pasi kishte takim me gjeneralin Alexus Grynkewich, komandantin suprem të Forcave Aleate në Evropë, si dhe me një delegacion të politikës së jashtme ose të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
“Më lejoni t’ju njoftoj se kryeministri ka njoftuar që e ka pasur të pamundur të vijë në këtë seancë, për shkak se ka takim me gjeneralin Alexus Grynkewich, komandant suprem i Aleatëve në Evropë, por po ashtu edhe me komisionin apo delegacionin për politikë të jashtme ose të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilin e kemi takuar edhe ne dje në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Sa i përket mungesës së ministrit Sveçla, Haxhiu tha se, sipas komunikimeve që kishte pasur me të, ai nuk kishte mundur të merrte pjesë për shkak të raportit që është i obliguar ta dorëzojë për rastin e Arlinda Zekajt.
“Sipas komunikimeve me ministrin, për shkak të raportit që është i detyruar të dorëzojë për rastin tragjik të së ndjerës Arlinda Zekaj, e ka pasur të pamundur të vijë sot dhe t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve”, tha Haxhiu.
Ministrave Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla u kanë mbetur rreth 9 orë për t’i dorëzuar raportet për rastin e Arlinda Zekajt.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë më 28 tetor se i pret raportet sot, më 29 tetor, para orës 18:00.
