Botë Lajme Tech & Inovacion

Pse interneti po pëson gjithnjë e më shumë ndërprerje?

Një valë e paprecedentë ndërprerjesh të sistemeve IT, defektesh teknologjike dhe sulmesh kibernetike ka shtuar shqetësimin në mbarë botën.

Frigoriferë në mbarë Europën që prishin ushqimet. Email-et e Microsoft-it që ndërpriten për orë të tëra. Aeroporte në SHBA që paralizohen.

Në javët e fundit, bota është përballur me një valë dukshëm të pazakontë ndërprerjesh të sistemeve IT, defektesh teknologjike dhe sulmesh kibernetike.

Miliarda dollarë janë vjedhur përmes sulmeve kibernetike, ndërsa të metat kritike të sigurisë në programe të përdorura gjerësisht kanë bërë që faqet e internetit të institucioneve qeveritare të ndërpriten për orë të tëra gjatë muajit të kaluar.

Frekuenca e incidenteve bëri që profesionistët e IT-së ta cilësonin muajin e kaluar si “Tetor të Zi”. Por, nëse ka diçka, numri i problemeve është rritur edhe më tej që atëherë.

Të martën, qendra kombëtare amerikane e sigurisë kibernetike u bëri thirrje kompanive të korrigjojnë një “e metë kritike sigurie” në Java, një gjuhë programimi e përdorur gjerësisht në internet.

Incidentet kibernetike, si vjedhja e të dhënave, kërkesat për shpërblime dhe mesazhet e publikuara, shpesh duken si probleme abstrakte. Por, shumë prej ngjarjeve të fundit kanë pasur pasoja të dukshme në jetën reale.

Një problem në Google Cloud në tetor bëri që bankat të mbeteshin jashtë funksionit për disa orë. Ndërprerja e Microsoft-it javën e kaluar detyroi disa struktura të NHS-së, sistemit shëndetësor britanik, të përdornin letër dhe stilolaps. Sulmet ndaj frigoriferëve në Francë, Belgjikë dhe vende të tjera çuan në hedhjen e ushqimeve me vlerë miliona euro.

Ekspertja e sigurisë kibernetike Nicole Perlroth tha se kishte marrë qindra mesazhe nga njerëz që e pyesnin nëse bota po i afrohej vërtet fundit.

Kjo valë problemesh ka nxitur teori se Perëndimi po përballet me një sulm kibernetik të koordinuar dhe në shkallë të gjerë, që synon të paralizojë një shoqëri gjithnjë e më të varur nga interneti.

Në mënyrë domethënëse, kjo ndodhi në të njëjtin muaj kur qeveria britanike u kërkoi familjeve të rezervonin ujë, ushqime dhe bateri.

Senatori republikan amerikan Josh Hawley tha të martën: “Nëse e gjithë kjo është thjesht rastësi, atëherë është rastësia më e madhe në historinë e botës.”

Megjithatë, zyrtarët i kanë hedhur poshtë këto shqetësime. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi: “Nuk po përballemi me një sulm sistematik. Këto ngjarje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe nuk janë të ndërthurura.”

Jay Clayton, drejtori amerikan i inteligjencës kombëtare, tha se nuk kishte shenja të një sulmi kibernetik të koordinuar apo të veprimtarisë së sponsorizuar nga një shtet.

Edhe Donald Trump, kur u pyet për këto incidente, u përgjigj shkurt: “Gjithçka është në rregull.”

Nuk ka prova se sulmet, ndërprerjet dhe të metat e sigurisë janë pjesë e një fushate të vetme. Disa incidente janë lidhur me shtete të huaja, si sulmet ndaj frigoriferëve, për të cilat është fajësuar Irani. Të tjera kanë shpjegime më të zakonshme, si një përditësim i gabuar i softuerit.

Megjithatë, shpeshtësia e këtyre problemeve nuk është domosdoshmërisht rastësi. Kombinimi i sulmeve kibernetike të asistuara nga inteligjenca artificiale, infrastruktura IT e vjetruar dhe përpjekjet e nxituara për të përforcuar sistemet kompjuterike kanë krijuar shumë mundësi që gjërat të shkojnë keq.

“Po shohim një kombinim të tre faktorëve që po krijojnë një situatë të rrezikshme në sigurinë kibernetike”, thotë Ilkka Turunen, nga kompania e sigurisë Sonatype, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të bëhet “normaliteti i ri”.

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar prej muajsh se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë një valë sulmesh. Në prill, Anthropic, kompania që zhvillon Claude, prezantoi Mythos, për të cilin paralajmëroi se do të “riformësojë sigurinë kibernetike”, falë aftësisë për të zbuluar gabime në programe. Në atë kohë, drejtuesit e sigurisë paralajmëruan se brenda pak muajsh kriminelët mund të siguronin teknologji të ngjashme.

Parashikimet rezultuan të sakta. Këtë javë, studiuesit e sigurisë në Google thanë se hakerët rusishtfolës kishin realizuar sulmin e parë kibernetik plotësisht të automatizuar në botë.

“Kriminelët kibernetikë pa përvojë mund të kryejnë sulme në nivelin e aktorëve shtetërorë të nëntë muajve më parë”, thotë Turunen.

Megjithatë, asnjë prej problemeve kryesore IT të javëve të fundit nuk është atribuuar drejtpërdrejt vetëm inteligjencës artificiale keqdashëse. Më shqetësuese ka qenë vala e të metave të sigurisë të zbuluar nga vetë specialistët që mbrojnë sistemet.

Në tetor, studiuesit e kompanisë amerikane Calif njoftuan se kishin përdorur mjete të inteligjencës artificiale për të zbuluar një e metë kritike në PHP, një gjuhë programimi e përdorur gjerësisht për aplikacionet web dhe lidhjen me bazat e të dhënave. Përpjekjet për ta korrigjuar atë, si dhe shqetësimet se mund të shfrytëzohej nga sulmuesit, çuan në ndërprerjen e dhjetëra faqeve qeveritare dhe qindra faqeve të tjera.

Të njëjtën javë, kompania zbuloi edhe të metën në Java, i cili mund të përdoret për të shkaktuar ndërprerjen e sistemeve IT. Të dy të metat u identifikuan gjatë një bashkëpunimi të koordinuar mes Calif dhe OpenAI, kompanisë që zhvillon ChatGPT.

Specialistëve që mbrojnë sistemet kibernetike u është dhënë akses i privilegjuar në mjete të fuqishme të inteligjencës artificiale për të zbuluar të metat para kriminelëve. Por kjo ka sjellë një numër të madh dobësish të identifikuara rishtazi dhe presion për t’i korrigjuar, edhe në rastet kur ato mund të mos ishin shfrytëzuar kurrë.

Sipas bazës amerikane të të dhënave për të metat e sigurisë, këtë vit janë zbuluar më shumë se 11.000 dobësi kritike në programe. Kjo shifër është shumë më e lartë se 3.365 të regjistruara vitin e kaluar dhe përfaqëson më shumë se një të katërtën e të gjitha të metave të identifikuara deri më sot.

Kjo ka nxitur një garë të ethshme për t’i korrigjuar ato përpara se t’i zbulojnë kriminelët. Por përditësimet nuk funksionojnë gjithmonë siç duhet: një gabim në kodin e ri ose një problem në ndërveprimin me një program tjetër mund të paralizojë një sistem të tërë.

Microsoft, që fajësoi një përditësim të gabuar të instaluar më herët këtë vit për ndërprerjen e së premtes së kaluar, ka katërfishuar numrin e korrigjimeve të gabimeve që kryen çdo javë këtë vit.

“Po kalojmë aktualisht një lloj apokalipsi të përditësimeve. Dhe ndonjëherë, kur përditëson sistemet, të gjithë e dimë se gjërat mund të shkojnë keq”, tha Dmitri Alperovitch, bashkëthemelues i kompanisë së sigurisë CrowdStrike, për NPR të martën.

“Diku, diga do të çahet”, paralajmëroi në fundjavë studiuesi i sigurisë Marcus Hutchins, i cili ndihmoi në ndalimin e virusit WannaCry në vitin 2017. Ai tha se punonjësit përgjegjës për mirëmbajtjen e programeve po përballen me një “rrjedhë të pafund raportimesh për gabime” dhe rrezikojnë të lodhen aq shumë, sa të dorëzohen.

Paralajmërimet për një valë sulmesh të asistuara nga inteligjenca artificiale kanë nxitur më në fund përpjekjet për të përditësuar sistemet IT të vjetruara, por ky proces shpesh është i vështirë dhe shkakton ndërprerje. Në maj, Ollie Whitehouse, drejtuesi i Qendrës Kombëtare britanike të Sigurisë Kibernetike, paralajmëroi se sisteme të tilla të vjetra mund të kenë nevojë të zëvendësohen plotësisht.

Përditësimet e sistemeve të vjetruara ishin shkaku i ndërprerjeve në aeroportet amerikane gjatë fundjavës, si dhe në sistemin e komunikimeve të sigurta të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA).

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë deklaruan të mërkurën se vala e ndërprerjeve ishte rezultat i përforcimit dhe përditësimit të sistemeve, jo i një serie sulmesh kibernetike.

Kjo mund të mos jetë edhe aq qetësuese. Nëse kaosi i shkaktuar nga ata që përpiqen të mbrojnë sistemet është kaq i madh, imagjinoni dëmin që mund të shkaktojë vala e paralajmëruar e sulmeve kibernetike nga kriminelët, të asistuara nga inteligjenca artificiale.