Kosovë Lajme Politikë

“Ku janë 100 mijë vendet e punës?”, Bajrami akuzon Qeverinë për propagandë, publikon shifrat e Trustit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar deklaratat e Qeverisë për krijimin e 100 mijë vendeve të reja të punës, duke pretenduar se këto shifra nuk përputhen me të dhënat e kontribuuesve në Trustin Pensional.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka krahasuar rritjen e numrit të kontribuuesve në Trust gjatë dy periudhave katërvjeçare, 2017–2021 dhe 2021–2025.

ipas saj, në periudhën 2017–2021 numri i kontribuuesve është rritur për 51 mijë, ndërsa gjatë viteve 2021–2025 rritja ka qenë 42 mijë.

Ajo ka theksuar se, sipas këtyre të dhënave, në katërvjeçarin paraprak janë regjistruar 9 mijë kontribuues më shumë sesa në katër vitet e qeverisjes aktuale.

“Lene propagandën për punësim, tregoni ku janë ato 100 mijë vende pune? Se në Trust nuk po figurojnë!”, ka shkruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së e ka cilësuar propagandë pretendimin e Qeverisë për 100 mijë vende të reja pune, duke kërkuar që të bëhet e qartë se ku pasqyrohet ky numër në të dhënat zyrtare.

Ndryshe, numri i kontribuuesve në Trustin Pensional është një tregues i pjesëmarrjes në skemën pensionale, por nuk përfaqëson domosdoshmërisht numrin e plotë të vendeve të reja të punës.

FOTO SHIFRAT