Momente frike dhe britma paniku në bordin e një avioni të British Airways, pasi një tentativë uljeje në aeroportin Heathrow të Londrës u shndërrua në një incident të pazakontë.
Avioni Airbus A321neo, që udhëtonte nga Amsterdami drejt kryeqytetit britanik, ishte duke kryer procedurat e uljes kur pjesa e pasme e tij preku pistën.
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga platforma Big Jet TV tregojnë se fillimisht gjithçka dukej normale, por menjëherë pasi rrotat prekën tokën, bishti i avionit u përplas me asfaltin.
Avioni u ngrit lehtë nga pista, ndërsa pjesa e pasme iu afrua sërish tokës, duke detyruar pilotët të ndërprisnin uljen dhe të ngriheshin përsëri në ajër.
Sipas një burimi të cituar nga mediat britanike, pasagjerët nisën të bërtisnin, pasi nuk kuptonin çfarë po ndodhte.
Fluturimi BA431 kishte tentuar uljen pak pas orës 10:30, ndërsa pas një manovre në ajër, pilotët arritën ta ulnin avionin në mënyrë të sigurt në orën 10:50.
Incidenti i është raportuar Degës Britanike të Hetimit të Aksidenteve Ajrore, AAIB, për verifikime të mëtejshme.
Autoritetet pritet të shqyrtojnë rrethanat e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet e përplasjes së bishtit të avionit me pistën.
