Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të ketë një rol të veçantë në finalen e Kupës së Botës 2026, pasi FIFA raportohet se nuk ka kundërshtime ndaj kërkesës së tij për t’ia dorëzuar trofeun ekipit kampion.
Botërori 2026 ka nisur me interes të madh në tri vendet organizatore – SHBA, Meksikë dhe Kanada – ndërsa finalja e madhe është planifikuar të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin MetLife në New York/New Jersey.
Sipas mediave britanike, Trump i ka bërë të ditur FIFA-s dëshirën e tij për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së trofeut dhe për t’ia dorëzuar atë personalisht ekipit fitues. Organizata më e madhe e futbollit në botë nuk ka shfaqur kundërshtime ndaj kësaj ideje, ndonëse një veprim i tillë do të ndryshonte traditën e zakonshme të ceremonisë.
Zakonisht, trofeu i Kupës së Botës merret nga podiumi dhe bartet nga kapiteni ose një përfaqësues i skuadrës fituese drejt bashkëlojtarëve gjatë festimeve në fushë. Megjithatë, burime pranë FIFA-s kanë bërë të ditur se vendimi për rolin e Trumpit do të mbetet në diskrecionin e tij.
Një situatë e ngjashme ishte parë edhe në finalen e Kupës së Botës për Klube verën e kaluar, kur Trump qëndroi mes futbollistëve të Chelsea FC gjatë festimeve pas triumfit ndaj Paris Saint-Germain. Pamjet e asaj ceremonie treguan disa lojtarë, përfshirë Cole Palmer, të habitur nga prania e presidentit amerikan në mesin e ekipit.
Megjithëse u raportua se veprimi mund të përbënte shkelje të protokollit, rregulloret aktuale të FIFA-s nuk përmbajnë asnjë dispozitë që e ndalon një gjë të tillë.
Rregullat përcaktojnë vetëm se trofeu mbetet pronë e FIFA-s dhe i dorëzohet ekipit fitues menjëherë pas finales gjatë ceremonisë në fushë. Pas përfundimit të festimeve, trofeu duhet t’i kthehet organizatorit në dhomat e zhveshjes.
Përveç trofeut, skuadra kampione do të marrë edhe një pllaketë përkujtimore, ndërsa diploma do t’u dorëzohet ekipeve që përfundojnë në vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Gjithashtu, të gjitha 48 federatat pjesëmarrëse do të pajisen me një certifikatë që dëshmon pjesëmarrjen e tyre në turne.
Nëse ky plan realizohet, Trump mund të shndërrohet në një nga figurat më të spikatura të ceremonisë finale të Botërorit 2026, një ngjarje që pritet të ndiqet nga miliarda shikues në mbarë botën.
