Lajme Sport

Tetë persona dënohen me burg, pas përleshjes mes Nurmagomedov dhe Dvalishvili

Tetë persona janë dënuar me burgim për përfshirjen e tyre në një përleshje masive mes luftëtarëve të MMA-së, Usman Nurmagomedov dhe Merab Dvalishvili, në një hotel në Abu Dhabi të mërkurën.

Një video e publikuar nga incidenti duket se tregon rusin Nurmagomedov duke e goditur me shuplakë ish-kampionin e UFC-së në kategorinë bantamweight, Dvalishvili, pasi iu afrua nga prapa gjeorgjianit.

Më pas shpërtheu një përleshje mes tyre dhe anëtarëve të ekipeve përkatëse, ndërsa policia e Abu Dhabit konfirmoi më vonë se incidenti kishte çuar në arrestimin e 10 personave.

Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale nga Departamenti Gjyqësor i Abu Dhabit, të 10 të akuzuarit janë shpallur fajtorë për përfshirjen e tyre në përleshje.

Mediumi lokal “The National” ka dhënë më shumë detaje rreth vendimeve të gjykatës, duke raportuar se gjashtë prej të akuzuarve janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, janë gjobitur me nga 62 mijë funte secili dhe do të dëbohen nga vendi pasi të përfundojnë dënimet.

Ata janë shpallur fajtorë për “prishje të sigurisë publike, shkaktim të panikut dhe rrezikim të jetëve”.

Dy të tjerë kanë marrë të njëjtin dënim, por për “shkelje të privatësisë përmes përdorimit të teknologjisë informative për të filmuar dhe publikuar pamje nga përleshja”.

Ndërsa dy të akuzuarit e mbetur janë gjobitur me nga 10.200 funte secili për “prishje të sigurisë publike dhe sulm ndaj personave të tjerë”.

Deri më tani, asnjëri prej të dënuarve nuk është identifikuar publikisht, por bashkëthemeluesi i organizatës Real American Freestyle (RAF), Chad Bronstein, ka konfirmuar se Dvalishvili është liruar nga paraburgimi.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Merab Dvalishvili është sërish me ne në Abu Dhabi. Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për autoritetet përkatëse në Abu Dhabi për profesionalizmin dhe mbështetjen e tyre. Ne mbetemi të përqendruar në vazhdimin e aktiviteteve tona dhe jemi të kënaqur që Merabi është sërish me ne”, thuhet në deklaratën e Bronstein.

“BBC Sport” ka kërkuar konfirmim për këtë çështje nga Departamenti Gjyqësor i Abu Dhabit.

Dvalishvili, 35-vjeçar, ishte paraparë të garonte në eventin e RAF-it në Emiratet e Bashkuara Arabe të shtunën, kundër brazilianit Marlon Moraes.

Pas incidentit, gjeorgjiani publikoi një video ku e quante Nurmagomedovin, 28-vjeçar, dhe ekipin e tij “gjarpërinj”, teksa po merrte trajtim mjekësor për plagët në fytyrën e gjakosur.

Nurmagomedov ndodhet në Abu Dhabi për ta mbështetur vëllain e tij, Umarin, i cili ishte paraparë të përballej me amerikanin Urijah Faber në eventin e së shtunës.

Ekipet e Nurmagomedov dhe Dvalishvilit kishin pasur një përplasje edhe gjatë një eventi të RAF-it në korrik. Kampioni i UFC-së, Islam Makhachev, mik i afërt dhe partner stërvitor i familjes Nurmagomedov, kishte sugjeruar se ajo ngjarje kishte çuar në përleshjen e së mërkurës.

Nurmagomedov është kampion i PFL-së në kategorinë lightweight, por aktualisht është pa kontratë, pasi luftën e tij të fundit me këtë organizatë e zhvilloi në korrik.

Ai është përfolur shumë për një kalim të mundshëm në UFC, por të premten presidenti i kësaj organizate, Dana White, deklaroi se nuk kishte biseduar me rusin.

White e cilësoi më pas përleshjen si “qesharake” dhe “budallallëk”, ndërsa pjesëmarrësit i quajti “një grup idiotësh”.