Microsoft ka nisur rikthimin e disa prej shërbimeve të prekura nga ndërprerja globale që për më shumë se 12 orë u shkaktoi telashe përdoruesve të Outlook dhe Teams. Deri në orën 10:08 të së premtes, kompania ende nuk kishte konfirmuar rikthimin e plotë të shërbimeve, raporton The Guardian.
Microsoft njoftoi se kishte rikthyer Teams në Amerikën e Veriut, megjithëse disa përdorues atje vazhdonin të raportonin probleme me lidhjen. Në Outlook, disa përdorues nuk mund të dërgonin apo të merrnin email, ndërsa të tjerë nuk arrinin as ta hapnin kutinë hyrëse, sipas Associated Press.
Platforma Downdetector regjistroi afro 130 mijë raportime për probleme me shërbimet e Microsoft në 74 vende. Përveç Outlook dhe Teams, përdoruesit raportuan vështirësi edhe me OneDrive, SharePoint dhe asistentin Copilot.
Microsoft tha se serverët u bënë më të qëndrueshëm pasi ndërhyri në sistemin që verifikon hyrjet e përdoruesve dhe drejton trafikun. Kompania po punonte për ta zbatuar rregullimin edhe në rajone të tjera dhe tha se do ta publikonte shkakun e plotë në raportin pas incidentit.
