Botë Lajme Tech & Inovacion

Mbi 12 orë telashe me email e takime online, çfarë ndodhi me Outlook dhe Teams?

Një ndërprerje globale në shërbimet e Microsoft 365 ka prekur Outlook, Teams dhe asistentin Copilot. Problemet nisën të enjten dhe vazhduan të premten, duke penguar për më shumë se 12 orë punën e bizneseve dhe institucioneve që përdorin këto shërbime, raporton The Guardian.

Disa përdorues nuk mund të dërgonin apo të merrnin email, ndërsa të tjerë nuk arrinin as ta hapnin kutinë hyrëse në Outlook. Platforma Downdetector regjistroi afro 130 mijë raportime për probleme me shërbimet e Microsoft në mbarë botën. Në Australi, disa institucione njoftuan se nuk mund t’i pranonin komunikimet me email, ndërsa shkollat raportuan probleme me mjetet që përdor stafi.

Microsoft tha të premten në mëngjes se një ndërhyrje në një pjesë të infrastrukturës kishte përmirësuar qëndrueshmërinë e serverëve. Kompania po punonte për ta shtrirë rregullimin edhe në rajone të tjera.

Sipas Microsoft, dyshimet paraprake lidhen me konfigurimin e serverëve. Kompania tha se deri në atë fazë nuk kishte shenja të një sulmi kibernetik dhe se shkakun e plotë do ta publikonte pas përfundimit të ndërhyrjes.