Botë Lajme

Trump: Iranit i kanë mbetur vetëm 21-22 për qind raketa

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Irani ende nuk ka pranuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve, sepse udhëheqësit e tij janë “të fortë” dhe “krenarë”.

Ai gjithashtu pretendoi se e di pothuajse saktësisht se sa raketa i kanë mbetur Teheranit.

Duke folur për NBC News, Trump tha se “janë të fortë, janë krenarë. Ka gjëra që kurrë nuk e kishin menduar se do t’u duhej t’i bënin, por tani do të detyrohen t’i bëjnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër dhe kjo kërkon pak kohë”.

Trump, i njohur edhe për librin e tij “The Art of the Deal”, tha se po vepron me shpejtësi dhe kritikoi ata që e sulmojnë për faktin se ende nuk është arritur një armëpushim i përhershëm.

“E dini, lufta në Vietnam zgjati 19 vjet. Unë jam vetëm në muajin tim të tretë. Dhe gjithçka që bëjnë është të pyesin: ‘Kur do të fitosh?’ Po të isha demokrat, askush nuk do të fliste në këtë mënyrë, por kjo nuk më shqetëson. Jam mësuar me këtë. Ne e kemi shkatërruar plotësisht ushtrinë e tyre. Atyre u kanë mbetur ende disa raketa dhe disa dronë”, tha ai.

Lideri amerikan shtoi se e di “pothuajse në numër të saktë” se sa raketa i kanë mbetur Iranit.

Megjithatë, ai refuzoi të japë një shifër të saktë, duke thënë se, sipas vlerësimit të tij, Iranit i kanë mbetur “ndoshta 21 deri në 22 për qind” e arsenalit raketor.

“Është ende një numër i madh raketash, por nuk është ai që ishte kur ne sulmuam për herë të parë”, përfundoi Trump.

Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kishin arritur kohë më parë një armëpushim pa kohë të caktuar.