Kur banka qendrore e Holandës konfirmoi këtë javë se kishte zhvendosur tonelata të arit të vendit nga Amerika e Veriut, ajo deklaroi se ky veprim do ta bënte atë “më të përgatitur për kriza të rënda”.
Rreth 86 tonelata nga totali i përgjithshëm prej rreth 313 tonelatash që mbaheshin në SHBA dhe Kanada u zhvendosën në Londër “për shkak të trazirave gjeopolitike në rritje”, në mënyrë që ky metal i çmuar të ishte “lehtësisht i disponueshëm për përdorim në situata krize”, shkruan BBC.
Natyrshëm, pasuan pyetje të ndryshme. Pse po e bënin këtë holandezët? A po parashikonin ndonjë tronditje të madhe ekonomike në horizont?
Me sa duket jo, por lëvizja ishte qartazi një reagim ndaj gjendjes së paqëndrueshme dhe të pasigurt në të cilën ndodhet bota, ku luftërat tregtare dhe ato ushtarake po i shtyjnë vendet të marrin masa paraprake dhe ta mbajnë arin e tyre më pranë vendit.
Në fillim të këtij viti, Franca njoftoi se i kishte tërhequr rezervat e saj të arit nga SHBA-ja për t’i sjellë në atdhe. Ndërkohë, Bundesbanku i Gjermanisë transferoi më shumë se 216 tonelata të këtij metali nga vendet e ruajtjes jashtë vendit – 111 tonelata nga Nju-Jorku dhe 105 tonelata nga Parisi – gjatë një periudhe disa-vjeçare që përfundoi në vitin 2016.
Kjo është një strategji që është zbatuar edhe më parë në periudha paqëndrueshmërie globale. “Disa banka qendrore evropiane zhvendosën një pjesë të rezervave të tyre të arit në Nju-Jork gjatë Luftës së Ftohtë,” thanë analistet kërkimore Lina Thomas dhe Daan Struyven nga Goldman Sachs.
Joseph Cavatoni, strateg i lartë i tregut në Këshillin Botëror të Arit (World Gold Council), i tha BBC-së se, ndonëse luftërat dhe tensionet tregtare po “ndikonin në disa prej këtyre vendimeve”, ato nuk ishin në “krye të listës” së faktorëve nxitës.
Banka është një nga ruajtësit më të mëdhenj të arit në botë. Në ambientet nën këtë institucion 300-vjeçar në qendër të Londrës ndodhen rreth 400,000 lingota me vlerë mbi 200 miliardë paund.
Sipas sondazheve të sektorit të kryera nga Këshilli Botëror i Arit, Banka e Anglisë mbetet vendi më i preferuar për ruajtjen e rezervave, por bankat qendrore po diversifikojnë gjithnjë e më shumë vendet ku e ruajnë këtë metal të çmuar.
Çështja se ku duhet ruajtur ari i vendit është “gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes për menaxherët e rezervave”, sipas Thomas dhe Struyven nga Goldman Sachs.
Në botën moderne, ka shumë mënyra për të zhvendosur pasuritë tuaja. Holandezët shitën rreth 59 tonë në Nju-Jork dhe më pas blenë sasi të tjera në Londër; kjo do të thoshte se nuk kishte nevojë që ajo sasi të transportohej përmes Atlantikut.
Megjithatë, më shumë se 27 tonë u “transferuan fizikisht” nga SHBA-ja dhe Kanadaja drejt qytetit holandez të Zeist-it. Një sasi e ngjashme u dërgua gjithashtu nga Zeist-i në Londër.
Kompanitë që ofrojnë shërbime të tilla janë të rezervuara lidhur me mënyrën se si kryhen operacionet, por mund të thuhet me siguri se masat e sigurisë dhe planifikimi janë të detajuara e gjithëpërfshirëse, për të shmangur rrezikun e një skenari të ngjashëm me filmin “The Italian Job”.
Cavatoni, nga Këshilli Botëror i Arit (World Gold Council), tha se një qasje standarde për zhvendosjen e rezervave të arit ishte shitja e këtij malli në një vend dhe blerja e tij në një vend tjetër. “Le të themi se e dua arin tim në Nju-Jork, ndërsa e kam në Londër. Mund ta shes në Londër dhe ta blej në Nju-Jork – në të njëjtën ditë e në të njëjtën kohë – duke kryer praktikisht një transferim kontabël, pa pasur nevojë për ndonjë lëvizje fizike apo ndryshim logjistik.”
Ka vetëm pak kompani të zgjedhura që merren me transportin ndërkufitar të arit; njëra prej tyre është “Brink’s Global Services”, e cila i tha BBC-së se kohët e fundit ka vënë re një “kërkesë në rritje” nga institucione të tilla si bankat qendrore.
“Pasiguria e shtuar gjeopolitike dhe ekonomike, së bashku me rolin në rritje të arit si aset strategjik rezervë, duket se po kontribuojnë në këtë prirje,” tha Nader Antar, nënkryetar ekzekutiv i “Brink’s”.
Inflacioni, normat e interesit dhe thjesht fakti i mbajtjes së arit në një vend ku mund të tregtohet shpejt, gjithashtu luajtën një rol.
“Nuk kam përshtypjen se po na kanoset ndonjë katastrofë e pashmangshme,” tha Cavatoni, “por ajo që mendoj është se njerëzit po arsimohen më mirë se si t’i menaxhojnë dhe t’i shtojnë rezervat e tyre të aseteve, si dhe po mendojnë në mënyrë më efektive se si t’i shfrytëzojnë sa më mirë ato asete.”
De Nederlandsche Bank bëri të ditur se ari i tërhequr nga SHBA-ja dhe Kanadaja midis muajve mars dhe gusht të këtij viti, tashmë ruhet në depot e Bankës së Anglisë.
“Shpresojmë se nuk do të na duhet kurrë t’i përdorim ato, por gjithsesi duhet të forcojmë qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë tonë,” tha Olaf Sleijpen, guvernatori i bankës qendrore holandeze.
Londra u konsiderua si zgjedhja më e mirë për shkak të pozicionit të saj në botë si një qendër e rëndësishme tregtare. Nëse dëshironi të keni mundësinë për të blerë ose shitur ar shpejt gjatë një krize, Londra është vendi i duhur; kjo e bën Bankën e Anglisë një vend të preferuar për ruajtjen e tij.
Arsyeja pse çështja e ruajtjes së arit është kaq e rëndësishme për bankat qendrore është se ato kanë blerë gjithnjë e më shumë prej tij. Megjithatë, ruajtja e tij në vend (në vendin e origjinës) mbart kosto, thanë Thomas dhe Struyven nga Goldman Sachs.
“Ruajtja brenda vendit kërkon investime në sigurinë fizike, infrastrukturën e auditimit dhe sigurimin; kosto që mund të jenë joproporcionale për bankat qendrore më të vogla,” thanë ata.
Gjatë katër viteve të fundit, bankat qendrore kanë akumuluar një mesatare vjetore prej 1,000 tonësh ar, një rritje e ndjeshme krahasuar me mesataren prej 500 tonësh të dekadës së mëparshme, sipas Këshillit Botëror të Arit (World Gold Council).
Kjo prirje e ka zanafillën që nga kriza financiare globale. Dhe pritet që ajo të vazhdojë të rritet edhe vitin e ardhshëm.
Ari ka përjetuar një periudhë të favorshme vitet e fundit. Çmimi i tij është rritur ndjeshëm duke arritur një sërë nivelesh rekord, duke kaluar shifrën prej 5,000 dollarësh për oncë në muajin janar.
Ka disa arsye që qëndrojnë pas rritjes së vlerës së tij, por një faktor kryesor ka qenë pozicioni i këtij metali të çmuar në psikologjinë njerëzore si një aset “strehë e sigurt” për investime gjatë periudhave të trazirave financiare dhe gjeopolitike, të shkaktuara nga luftërat tregtare dhe ato ushtarake.
Inflacioni dhe normat e interesit gjithashtu ndikojnë në popullaritetin e arit. Për shkak të rrallësisë së këtij malli dhe vlerës që i është atribuar atij ndër mijëra vite, ai është disi rezistent ndaj rritjes së çmimeve dhe, për këtë arsye, shihet si një investim i mirë.
“Gjatë gjysmëshekullit të fundit, çmimet e arit janë rritur shumë më shpejt se Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI) – treguesi i inflacionit që ndiqet më nga afër,” sipas bankës së investimeve Charles Schwab.
Megjithëse çmimi i arit ka rënë nga niveli rekord i regjistruar në fillim të këtij viti, ai mbetet ende në nivele të larta nga një këndvështrim historik.
Sipas studiuesve të Goldman, çmimi parashikohet të rritet në 4.900 dollarë (3.624 £) për oncë troy deri në fund të vitit 2026, pra 300 dollarë më shumë sesa në muajin gusht.
Kërkesa për ar nga bankat qendrore është një nga arsyet kryesore të rritjes së shpejtë të çmimeve, sipas Thomas dhe Struyven.
