Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se edhe Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt, ndërsa dokumentet e përfshira në raport tregojnë se për rastin ishin njoftuar vazhdimisht prokurorët përgjegjës dhe kryeprokurorja e suspenduar.
Në konferencën për media, ku po prezantohet raporti për rastin e vrasjes së Arlindës, Gërvalla tha se në vend që institucionet ta largonin rrezikun nga viktima, asaj i kërkohej të largohej nga rreziku në pronën e saj.
Ajo bëri të ditur edhe për suspendimin e kryeprokurores dhe prokurores përgjegjëse për rastin.
Duke paraqitur kronologjinë e ngjarjeve, Gërvalla tha se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas saj, Arlinda kishte raportuar edhe kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar Policinë se ish-bashkëshorti posedonte armë me leje.
Gërvalla tha se një tjetër shqetësim i vazhdueshëm i Arlindës ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar.
Megjithëse ishte bashkëpronare e shtëpisë, sipas ministres, Arlinda kishte raportuar se ish-bashkëshorti dhe familjarë të tij, të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj.
Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhërmbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i kishte shkruar gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës.
“Pra, rreziku ishte raportuar, shprehimisht, dhe ishte i dokumentuar”, deklaroi Gërvalla.
Duke folur për përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Pejë, ministrja tha se raporti ka evidentuar shkelje të afateve ligjore gjatë trajtimit të kërkesës për urdhërmbrojtje emergjente.
Sipas kronologjisë së paraqitur nga ajo, më 7 shtator gjykata e kishte miratuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje emergjente, ndërsa më 9 shtator Arlinda e kishte kundërshtuar vendimin, pasi ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj.
“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj, 12-vjeçar”, citohet të ketë thënë Gërvalla.
