Kosovë Lajme

Aktivisti i VV-së emërohet kryeinspektor i Farmacisë

Edon Muçaj, i cili u punësua në Inspektoratin Farmaceutik në vitin 2023, është avancuar në pozitën e kryeinspektorit, pas largimit nga kjo pozitë të Remzije Thaçit.

Muçaj ishte punësuar përmes një konkursi të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa njihet edhe si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai e ka shprehur publikisht përkrahjen për këtë parti në rrjetet sociale.

Nga kërkimet në rrjetin social Facebook, Muçaj shihet duke marrë pjesë në tubime elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prizrenit.

Në fotografitë e publikuara, ai shfaqet në shoqërinë e figurave të njohura të kësaj partie, përfshirë Glauk Konjufcën dhe Mytaher Haskukën, si dhe aktivistë të tjerë të VV-së.

Avancimi i tij vjen pas shkarkimit të Remzije Thaçit, e cila u largua nga pozita pas gjetjeve për mospërputhje në dokumentacionin e shpenzimeve për një trajnim të organizuar në një hotel në Brezovicë vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të raportuara për rastin, një auditim i brendshëm kishte evidentuar mospërputhje në listat e pjesëmarrësve dhe faturat e dorëzuara për mbulimin e shpenzimeve të trajnimit.

Në dokumentacion ishin përfshirë emra të zyrtarëve që, sipas dëshmive të dhëna gjatë shqyrtimit të rastit, nuk kishin qëndruar në hotel. Njëra nga zyrtaret kishte deklaruar se nuk kishte udhëtuar fare në Brezovicë, por e kishte nënshkruar listën më vonë në zyrën e drejtoreshës.

Po ashtu, ishte konstatuar se dokumentet financiare të dorëzuara në Ministrinë e Shëndetësisë nuk përputheshin me numrin e personave që kishin autorizim për pjesëmarrje në trajnim.

Për këto veprime, Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Shëndetësisë e kishte shpallur Thaçin përgjegjëse për vënie në lajthitje të institucionit publik, fshehje të të dhënave zyrtare dhe dëmtim të reputacionit të shërbimit civil.

Si masë disiplinore, asaj i ishte shqiptuar largimi nga pozita e drejtoreshës dhe transferimi në një detyrë më të ulët.