Lajme Sport

Një tjetër çmim për Cristiano Ronaldon, sezoni i vitit 2008 shpallet më i miri në historinë e “Topit të Artë”

Cristiano Ronaldo është shpallur fitues i çmimit B.O.A.T. (Ballon d’Or Of All Time), një nismë e organizuar në kuadër të 70-vjetorit të çmimit “Topi i Artë”.

Megjithatë, bëhet fjalë për një vlerësim të veçantë, i cili nuk duhet ngatërruar me trofeun zyrtar të “France Football”.

Sipas faqes sportive 433, sezoni i vitit 2008, kur Ronaldo fitoi “Topin e Artë” të parë në karrierën e tij, është votuar si sezoni më i mirë në historinë e këtij çmimi.

Nisma B.O.A.T. u krijua për të vlerësuar sezonin më të madh të një fituesi të “Topit të Artë”. Në votim mund të merrnin pjesë vetëm futbollistët që e kishin fituar këtë trofe të paktën dy herë.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është se votimi ishte i hapur për tifozët, të cilët duhej të paguanin një euro për të dhënë votën e tyre.

Pavarësisht ngjashmërisë në emërtim dhe diskutimeve që mund të shkaktojë mes tifozëve, B.O.A.T. nuk është “Super Topi i Artë”. Këto janë dy iniciativa të ndryshme dhe çmimi i fituar nga Ronaldo nuk përbën një trofe të ri zyrtar të “Topit të Artë”.

Ronaldo e fitoi “Topin e Artë” në vitin 2008, kur ishte pjesë e Manchester United, përpara se të triumfonte edhe katër herë të tjera gjatë karrierës së tij.