Përfaqësuesit evropianë nuk do të marrin pjesë në negociatat teknike trepalëshe ndërmjet Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, të planifikuara për muajin e ardhshëm, deklaroi ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov.
Sipas tij, është arritur marrëveshje që bisedimet të zhvillohen pa pjesëmarrjen e Evropës, raportoi Pravda.
“Mund të vijnë nëse i blejnë biletat, por askush nuk ka ndërmend t’i ftojë në tryezën e negociatave”, deklaroi Ushakov.
Ai nuk e konfirmoi deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se negociatat teknike mund të mbahen më 10 nëntor. Zyrtari rus shtoi se data e takimit do të bëhet e ditur së shpejti.
Ushakov kishte paralajmëruar më herët se Rusia është e gatshme t’i vazhdojë negociatat trepalëshe me SHBA-në dhe Ukrainën për përfundimin e luftës pas 4 nëntorit.
Ndërkohë, Zelensky deklaroi se, pas bisedimeve të liderëve evropianë me presidentin rus, ka shenja se Moska po e shqyrton seriozisht mundësinë e një takimi të ekipeve negociuese në Abu Dhabi.
Ai shtoi se mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet ekipeve teknike të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, i planifikuar për fillim të nëntorit, varet nga Shtetet e Bashkuara.
Gazeta The Telegraph raportoi se Rusia mund të përpiqet ta shfrytëzojë raundin e ri të negociatave të paqes për të nxitur NATO-n të bëjë lëshime.
