Kosovë Lajme Politikë

Konjufca tregon hapat e ndërmarrë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, njofton se sot ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Konjufca thekson se “në këtë mbledhje diskutuam drejtimet kryesore të strategjisë, caktuam grupet përgjegjëse për hartimin e saj, dhe përcaktuam planin e përgjithshëm të punës. Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”.

“Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj”, vijon Konjufca.

“UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë. Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë”, shprehet ai.

Postimi i plotë:

Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës e 28 shtatorit shprehu vullnetin tonë të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në vijim të saj dhe të vendimit të marrë nga Qeveria më 14 tetor, sot kryesova mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në këtë mbledhje diskutuam drejtimet kryesore të strategjisë, caktuam grupet përgjegjëse për hartimin e saj, dhe përcaktuam planin e përgjithshëm të punës. Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel. Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.

UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë. Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë.