Kosovë Kronikë Policore Lajme

Vrasja e Arlindës, familja vendos që të mos mbaj të pame

Familja e Arlinda Zekajt ka njoftuar se nuk do të mbajë të pame pas vrasjes së 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ceremonia e varrit të Arlindës është bërë sot në Radavc të Pejës. Lajmi për vrasjen e saj ka tronditur opinionin publik, veçanërisht pas publikimit të detajeve që tregojnë se ajo kishte kërkuar ndihmë nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.

Për vrasjen e saj është shpallur në kërkim kunati, Albert Sylaj, i cili, sipas raportimeve, vazhdon të jetë në arrati.

Rasti ka marrë vëmendje të madhe pasi u bë e ditur se Arlinda kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj dhe kishte kërkuar ndërhyrje urgjente nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Më 22 tetor, ajo i kishte dërguar një letër kryeprokurores së kësaj prokurorie, ku kishte kërkuar zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e pretendimeve të saj për mosveprime të zyrtarëve përgjegjës.

Në letër, ajo kishte shprehur frikën se institucionet do të mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi asaj t’i merrej jeta.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.

Një tjetër zhvillim që ka nxitur reagime është fakti se më 23 tetor, dy ditë para vrasjes, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, për veprën penale të kanosjes.

Sipas aktakuzës, Arlinda e kishte raportuar ish-bashkëshortin në polici më 10 korrik, duke pretenduar se ishte kërcënuar dhe se ndihej e rrezikuar. Para prokurorit, Jeton Sylaj kishte pranuar se i kishte thënë fjalë kërcënuese, por ishte arsyetuar se veprimi i tij lidhej me shqetësimet për djalin e tyre 12-vjeçar.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se pas pranimit të letrës së Arlindës më 22 tetor, kryeprokurorja ua kishte përcjellë kërkesat institucioneve përkatëse, përfshirë Policinë, Gjykatën Themelore dhe Qendrën për Punë Sociale, duke kërkuar vlerësimin urgjent të pretendimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve brenda kompetencave të tyre.

Po ashtu, ishte iniciuar një rast për të hetuar pretendimet e saj lidhur me veprimet ose mosveprimet e mundshme të zyrtarëve publikë.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët dhe organizatat që merren me të drejtat e grave, të cilat kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa më efektive për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Rasti ka rikthyer në vëmendje çështjen e trajtimit të denoncimeve për dhunë dhe kërcënime, si dhe përgjegjësinë e institucioneve për të reaguar me kohë kur qytetarët kërkojnë mbrojtje.