Për problemet serioze në familjen e tani të ndjerës Arlinda Zekaj dhe ish-bashkëshortit Jeton Sylaj ishte në dijeni edhe Ambasada Amerikane në Kosovë. Sipas deklaratës së të ndjerës Arlinda Zekaj në prokurori, bëhet e ditur se ajo ka treguar se i është drejtuar Ambasadës Amerikane për dyshimet se djali i saj ka qëndruar pa kujdesjen e duhur në shtëpinë e tyre gjatë kohës kur Arlinda s’ka qenë aty. Insajderi sjell detaje nga aktakuza.
Sipas raporteve të policisë, zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale dhe psikologëve të bashkangjitura në dosje, pas datës 20 qershor 2026, fëmija kishte shkuar tek gjyshja dhe mixhallarët në Deçan dhe kishte ndërprerë kontaktet me nënën, duke i bërë bllok në telefon. Në deklarimet e saj të datës 13 korrik 2026, e ndjera Arlinda kishte ngritur shqetësimin se djali po mbahej nën presion për të mos u kthyer tek ajo.
Një nga detajet më domethënëse të zbardhura në dosje tregon se në këtë çështje është dashur të njoftohet edhe Ambasada Amerikane. Sipas procesverbaleve të policisë, kjo ka ndodhur pasi gjatë një kontrolli dhe hapjeje të derës së shtëpisë me praninë e policisë, është vlerësuar se kishte pasur shkelje ligjore ndaj të miturit nga ana e familjarëve të atit, duke detyruar përfshirjen e përfaqësisë diplomatike për shkak të shtetësisë amerikane që kishin lidhur me jetën e tyre të mëparshme në SHBA.
Në dëshminë e dhënë më 13 korrik 2026, e ndjera kishte shpjeguar detajet lidhur me këtë situatë:
„…në momentin kur është hapur dera e kësaj shtëpie policia ka qenë prezent edhe unë për shkak të sigurisë kërkojë që kamerat e shtëpisë të mirren. Unë vlerësoj se lënia e fëmijës në atë mënyrë është shkelje ligjore nga babai Anikut, Jeton Sylaj dhe axha i Anikut Driton Sylaj. Për këtë çështje është informuar edhe ambasada amerikane. Pra djali Aniku ka qenë pa përkujdesje. Djali për momentin është në Deçan dhe gjyshen etj…“, shkruan në aktakuzën e ngritur ndaj Jeton Syles.
