Dosja e siguruar nga gazeta zbulon detaje tronditëse nga dëshmitë e dhëna në prokurori lidhur me rastin e Arlinda Zekajt. Sipas dosjes hetimore, e ndjera Arlinda Zekaj kishte deklaruar në polici e prokurori se gjatë martesës së saj 13-vjeçare me të pandehurin Jeton Sylaj, kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme psikike dhe fizike.
Në dëshminë e dhënë më 10 korrik 2026, Arlinda kishte treguar se në muajin dhjetor të vitit 2025, pas një konflikti për largimin nga shtëpia, Jeton Sylaj e kishte kanosur rëndë përmes telefonit me fjalët: “kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria ska me mujt me të hek nga dora ime, kurv, kudër, rrugaqe, ki me flejt në sokak, ski me pa djalin nëse jam gjallë unë”.
Nga ana tjetër, sipas aktakuzës së siguruar nga Insajderi, i pandehuri Jeton Sylaj gjatë marrjes në pyetje në Prokurori më 23 korrik 2026 ka pranuar se i ka thënë viktimës fjalët kërcënuese “kom met mbyt, kom met ngre zhag”, duke u arsyetuar megjithatë se këtë e ka bërë për shkak të shqetësimit lidhur me djalin e tyre. Ndërkaq, djali i tyre mitur, Aniku, në raportet e zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale dhe psikologëve, kishte shprehur qëndrimin e tij se dëshiron të qëndroj tek familja e babait gjatë kësaj periudhe të tensionuar.
Çfarë kishte deklaruar Jeton Syla në Prokurori:
Sipas procesverbalit të marrjes në pyetje të të pandehurit Jeton Sylaj dhënë pranë Prokurorisë më 23.07.2026, ai fillimisht ka treguar se ka qenë i martuar me Arlinda Zekaj Zeka, mirëpo ata janë ndarë prej një viti. Ai ka theksuar se ndarja e tyre është bërë mirëpo nuk janë ndarë me letra. Arsyeja pse nuk janë ndarë me letra është se ai jeton në Amerikë, ndërsa Arlinda jeton në Kosovë, kurse arsyeja kryesore sipas tij është se i ka dhënë shumë shanca mirëpo ajo nuk përmirësohet.
“Sot jam paraqitur vetë pranë Prokurorisë Themelore në Pejë për shkak se në polici kam deklaruar se do të deklarohem në Prokurori. Unë do kthehem për Amerikë më datë 05.09.2026. Fillimisht më duhet të them se kam qenë i martuar me Arlinda Sylaj Zeka, mirëpo ne jemi ndarë që 1 vit. Ndarja jonë është bërë mirëpo nuk jemi ndare me letra. Arsyeja se nuk jemi ndarë me letra është sepse unë jetoj në Amerikë ndërsa Arlinda jeton në Kosovë, ndërsa arsyeja kryesore është sepse unë i kam dhënë shumë shanca mirëpo ajo nuk përmirësohet. Unë nuk e di arsyeja pse Arlinda sillet kështu mirëpo prej kur jemi martuar pra 2011-2012 ajo shumë pak ka ndenjur në shtëpinë tonë të përbashkët në Amerikë dhe Kosovë ajo ka ndenjur më shumë tek familjarët e saj. Mund të them se shihen tendencat e saj, sepse ajo gjithë qëllimin e ka tek paratë sepse unë e kam mbajtur gjallë atë. Është e vërtetë se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom met mbyt kom met ngre zhag’, mirëpo të njejtën ia kam thënë sepse djali im është ndjerë i rrezikuar, se nëna e tij ka gënjyer ka shkuar tek familja ime në Deçan dhe djali im ndihet gjithmonë i frikësuar nga nëna e tij dhe familjarët e saj sepse qëllimi i saj është ta dërgojë tek familja e saj, mirëpo ai nuk dëshiron sepse ndihet i rrezikuar. Djali im personalisht vetë deklaron se nuk dëshiron të shkojë tek familja e nënës së tij dhe nëna e tij dhe këtë gjë e ka thënë edhe pranë qendrës për punë sociale dhe ashtu edhe në anëtarët e familjes sime. Dua të theksoj se sot megjithatë rrethanat janë kështu siç janë unë nuk kam synime t’ia mohojë të drejtën për ta takuar djalin e saj, mirëpo tani nuk e kam të njëjtin vullnet sepse vetëm të më kishte pritur 2 ditë nuk do të ndodhnin asnjëje këto, por kur ka dashur. Unë i kam prova se ia kam ofruar këtë gjë dhe me Arlindën kemi kontaktuar përmes telefonit dhe bisedimet do t’i dorëzoj në Prokurori. Sa i përket rrezikut Arlinda nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga unë në asnjë mënyrë mirëpo në qoftë se rrezikohet djali im ajo është rrethanë tjetër. Po ashtu djali im vetë nuk dëshiron të bisedoj me nënën e tij, ai ia ka bërë bllok në rrjete sociale dhe po ashtu ka thënë në Polici se ka kërkuar urdhër mbrojtjes, mirëpo të njëjtit janë udhëzuar për tek mbrojtja e viktimave. Tjetër nuk kam çka të shtoj veçse unë e pranoj që kam kryer kanosje e kam bërë vetëm për shkak të djalit tim, ndërsa sa i përket imponimeve apo ndonjë veprim tjetër në drejtim të djalit tim unë nuk e kam bërë krejt çka ka deklaruar djali im ka qenë në vullnet të tij. Ajo më ka marrë edhe pasaportat dhe kjo kjo tregon tendencën e saj dhe të më sjellë në këtë situatë, unë pasaportën e Amerikës e kam por të Kosovës ka marrë ajo“
Çfarë kishte deklaruar Arlinda Zekaj në Prokurori/Polici:
Sipas procesverbaleve të marrjes në pyetje të Arlinda Zekaj dhëna në Stacionin Policor në Pejë më 10.07.2026 dhe deklaratave shtesë, ajo kishte deklaruar se ka qenë e martuar për 13 vite me Jeton Sylajn, gjatë të cilave kishte jetuar rreth 11 vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo kishte treguar se gjatë jetës në Amerikë, Jeton kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj. Në vitin 2024, ajo bashkë me djalin e tyre Anikun ishin kthyer në Kosovë, ku në fshatin Vitomiricë kishin ndërtuar një shtëpi
“Unë jam e martuar qe 13 vite me Jeton Sylaj dtl. 20.07.1980 dhe nga kjo martesë kemi një djalë Anikun i cili është 12 vjeçar. Me Jetonin kemi jetuar diku rreth 11 vite në shtetin e Amerikës, dua të deklaroj se deri sa kam jetuar në Ameikë Jetoni ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj meje, me çka kam raportuar në Amerikë dhunë familjare. Dua të deklaroj se në vitin 2024 unë dhe djali Aniku jemi kthyer në Kosovë dhe në fshatin Vitomiricë kemi ndërtuar një shtëpi e bashku. Ndërsa Jetoni ka punuar në Amerikë dhë herë pas kare ka udhëtuar Amerikë-Kosovë. Jetoni më ka detyruar që unë të hy në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 (nëntë) mijë euro dhe qe dy vij që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte ndaj meje dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin Dhjetor të vitit 2025 Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti ski çka lyp aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku, ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët “kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria ska me mujt me të hek nga dora ime, më ka fyer me fjalët më denigruese, kurv, kudër, rrugaqe, ki me flejt në sokak, ski me pa djalin nëse jam gjallë une, po ashtu edhe djalit i ka bërë dhunë psikologjike. Pasi unë jam detyruar të dal e kam marrë djalin dhe kam ardhur në Vitomiricë i ka marrë të gjitha rrobat e mira dhe i ka gitur në oborr në Vitomiricë i ka marrë të gjitha rrobat e mijëra dhe i ka qitur në oborr i ka dërguar mua, të cilën edhe e ka bërë video i kall rrobat e mija dhe atë video ma ka dërguar mua, të cilën edhe unë e kam ruajtur dhe me dëshirë e deponoj në polici me vetëdëshirë si provë. Unë edhe pse kam shkuar tek familja e tij unë djalin Anikun nuk e kam ndaluar që të shkojë tek gjyshja dhe mixhallarët e tij dhe ka shkuar disa herë ka qëndruar atje dhe unë asnjëherë nuk kam ndaluar. Por që nga data 20.06.2026 djali ka shkuar tek gjyshja dhe mixhallarët Aniku më ka bllokuar në telefon dhe nuk dëshiron që të vijë të jetojë me mua. Dhe për këtë unë jam sigurt se Jetoni po e detyron që të qëndrojë te gjyshja në Deçan dhe mos vijë të jetojë me mua, unë kërkoj nga Policia që të ma kthejë djalin të jetojë me mua. Po kam plotë video të cilat jau prezentoj. Arsyeja pse nuk e kam raportuar rastin në polici kur në muajin dhjetor 2025 Jetoni më ka dëbuar nga shtëpia është se unë të gjithë kohën kam menduar se Jetoni do të ndryshojë se i dhimbset djali. Po Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë. Nuk e di ku ndodhet arma. Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni. Jo nuk kam nevojë për mjek. Pas dhënies së deklaratës unë dua të shkojë së bashku me djalin tek familja ime në Radavc. Nuk kam asgjë të shtojë, deklaratën pasi kam dhënë e nënshkruar me nënshkrimin tim personal, pa vërejtje, pa presion“.
