Lajme Shqipëri

Rama: Aktorë të huaj po i hedhin benzinë zjarrit, në protestë të rinj të maskuar dhe të paguar për të sulmuar policinë

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar aktorë të huaj se po nxisin tensionet në Shqipëri, duke i cilësuar zhvillimet e fundit si pjesë të një lufte hibride. Gjatë një paraqitjeje mëngjesin e sotëm, Rama deklaroi se protesta po shfrytëzohet nga grupe të organizuara për të sulmuar policinë.

Sipas tij, shqetësimet e qytetarëve për koston e jetesës dhe strehimin janë reale, por këto po përdoren për të krijuar një realitet të shtrembëruar dhe për të nxitur përplasjet.

“Ky është një sulm që kryhet, që orkestrohet nga duar të stërvitura për këto punë, që ushqehet si benzinë me zjarr të brendshëm, nga aktorë të huaj. Dhe ku u projektohet qytetarëve një realitet i kombinuar, hibrid. Është një luftë hibride, funksionon deri në këtë masë, sepse bazohet në shqetësimet reale. Janë reale shqetësimet për koston e jetesës, për strehimin, për të pasur më shumë etj.”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te bilanci i të lënduarve gjatë protestave, duke thënë se rreth 200 efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Ndërsa nga ana e protestuesve, sipas tij, janë rreth 80 të lënduar.

Rama tha se më pak se gjysma e protestuesve të lënduar janë studentë, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, u përket grupeve të të rinjve të maskuar që kanë marrë pjesë në sulmet ndaj policisë.

“Të tjerët janë të rinj, që i përkasin grupit të zjarrit, të maskuar, të paguar, për të sulmuar policinë”, theksoi Rama.